Arrest me burg vrasësit të bashkëshortes

22/10/2012 17:45

Gjykata e qarkut Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Bujar Dedej, i cili pak ditë më parë vrau me mjete të forta ish-bashkëshorten.

Gjatë zhvillimit të seancës, prokurori nga ngritur ndaj Dedejit akuzën e vrasjes me paramendim, pasi ai e goditi bashkëshorten teksa ajo ishte në gjumë.

Ngjarja ndodhi natën mes së premtes dhe së shtunës, në një banesë në lagjen numër 8 të qytetit bregdetar, i cili mbeti i shokuar nga krimi i rëndë.

48-vjeçari goditi me mjete të forta bashkëshorten e tij 6 vjet më të re gjatë natës, pasi më herët kishin pasur një debat të ashpër në ambjentet familjare.

Lime Dedej u dërgua në gjendje të rëndë nga policia në spitalin e Durrësit, por nuk mundi të mbijetonte, ndërsa autori i krimit u arrestua nga shërbimet e policisë.

Nga veprimet e para hetimore, policia arriti në përfundimin se krimi ishte kryer për motive të dobëta, konkretisht për xhelozi, por pritet që hetimet në vazhdim të hedhin më shumë dritë mbi të.

Viktima ishte nënë e dy fëmijëve të vegjël dhe jetonte në varfëri nën të njëjtën çati me bashkëshortin, nga i cili ishte divorcuar pak javë më parë.

Ndërkohë, një tjetër krim i ngjashëm ndodhi ditën e diel në Krujë, ku bashkëshorti Bashkim Zogu, 34 vjeç, goditi me sëpatë të shoqen 21-vjeçare.

Flutura Zogu u dërgua fillimisht në spitalin lokal dhe më pas drejt Spitalit Ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë, por nuk mundi të mbijetonte.

Policia ndaloi autorin dhe nga hetimet paraprake të bazuara në dëshminë e të ndaluarit u zbulua se ngjarja kishte ndodhur për motive xhelozie, njësoj si ajo e Durrësit.

Top Channel