Një shuplakë nga Gjergj Ndreca

21/10/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Imagjinoni për një moment një skenar të tillë: një grusht burrash nisin një grevë urie në një cep të Tiranës.

Si në dhjetëra raste të mëparshme në të gjithë Shqipërinë, edhe ata kërkojnë dialog me qeverinë, për disa të drejta ekonomike që u janë shkelur. Nga qeveria vjen përgjigje pozitive. Një zv.ministër i drejtësisë caktohet të marrë kontakt me ta, e më pas nisin një rresht takimesh mes palëve, për të shqyrtuar pretendimet në fjalë. Greva, e cila në ditën e parë të saj është renditur diku nga mesi i edicioneve informative, kalon shpejt te lista e lajmeve të shkurtra, të cilave nuk u hedh sytë askush. Kërkesat mbeten pezull, por qeveria shmang zhurmën dhe ekspozimin mediatik.

E gjithë sa u supozua më lart, nuk ndodhi, kur 29 ditë më parë një grup të burgosurish të diktaturës shpallën grevën e urisë në rrugën Komuna e Parisit. Ajo që ndodhi është e kundërta. Fillimisht greva u shpërfill, më pas, kur grevistët nisën të vetëdigjen, u rrethua dhe sot është një grevë e “pilotuar” dhe e konturuar brenda hapësirës mikroskopike që kanë lejuar kordonët imponues të policisë. Nga ana tjetër, megjithëse mori një përhapje mediatike spektakolare, e cila u solli edhe në një reagim gjithnjë e më të fuqishëm ndërkombëtar, greva vijon të ndeshë në kokëfortësinë tashmë absurde të qeverisë për të mos negociuar. Qeveria, nga ana e saj, ndeshet sot me një krizë që anën e saj më të rrezikshme e shfaq më shumë së jashtmi. Nuk pati turma mijëshe para çadrave të grevistëve, por pati një listë deklaratash të hidhura nga të huajt brenda e jashtë Shqipërisë, të cilët që të gjithë këshillojnë pikërisht atë që Berisha vijon me kokëfortësi ta mohojë: dialogun me grevistët. Kryeministri i vendit përballet sot me një problem që mund ta evitonte, por që në kushtet aktuale, përkthehet në mënyrë të pashmangshme, si një tjetër provë e politikës së tij të konfliktit dhe si një gur shtesë në kulturën e urrejtjes që ai ka kultivuar tradicionalisht në Shqipëri. Fatura ndërkombëtare e grevës është pika e saj e forcës, në përballjen me shtetin.

Greva e urisë qe padyshim një faliment në planin e mbështetjes njerëzore. Ashtu siç qe, përkundër, edhe një sukses i dukshëm ndërkombëtar. Nga njëra anë ajo mbeti një bërthamë e kufizuar proteste, të cilën shumëkush e ka ndjekur në distancë, por pa prezencë “në vetë të parë”. Në të kundërt, kjo grevë ka qenë një fitore e hatashme për organizatorët e saj, në planin mediatik dhe atë ndërkombëtar. Nuk është e tepërt të thuhet se ajo shënon në këtë aspekt një shuplakë të hidhur dhe po aq të papritur për qeverinë, nga të gjithë diplomatët kryesorë në Shqipëri, por edhe nga Departamenti i Shtetit. Vështirë se Berisha llogariste para një muaji se do të merrte një “këshillë” për këtë temë nga Riker, kur e priste atë në Tiranë.

Dhe ka një shpjegim sesi një grevë në thelb jopopullore brenda vendit, mund të marrë kaq shumë vëmendje jashtë vendit. Është pikërisht elementi që Berisha s’e ka llogaritur sa duhet dhe si duhet. Fjala është për kartën morale të atyre burrave të vjetër e të pafuqishëm, që enden nga njëri ekran në tjetrin, duke kërcënuar se do të vdesin në grevë. Qeveria mund të gërmojë sa të dojë nëpër dosjet e vyshkura të komunizmit, për të gjetur ndonjë element komprometues për grevistët, ajo mund t’i arrestojë ata, mund t’i përgojojë në shtypin e vet gjithë ditën, mund t’i rrethojë me policë dhe mund t’u heqë edhe ilaçet e diabetit. E vetmja gjë që s’mund të bëjë, është që t’u imponojë të njëjtin imazh negativ edhe të huajve, të cilët kanë një konsideratë krejt të ndryshme nga gossip-i banal i qeverisë shqiptare, për këtë kategori të vuajtur nën diktaturë.

Nuk mund të mohohet se mes grevistëve dhe numrit një të qeverisë, ka tashmë në mes një humnerë urrejtjeje të dyanshme. Ky faktor emocional ka qenë madje përcaktues, në “krijimin” thuajse me dhunë të një profili ndërkombëtar të grevës së urisë. Në vendin tonë ka pasur qindra greva urie në 22 vjetët e fundit, edhe për arsyet më banale. Formati ndërkombëtar i kësaj greve, është dhurata më e mirë që Berisha u bëri atyre burrave, të cilët sot, teksa vuajnë urinë, etjen dhe inatin e shtetit, e dinë se praktikisht e kanë fituar betejën e tyre me qeverinë. Aq e vërtetë është kjo, saqë në mesin e procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat, në mes të axhendës së tij të udhëtimeve jashtë vendit, Kryeministrit i duhet të dëgjojë një zë gjithnjë e më të fortë të kancelarive të huaja, në mbështetje të procesit të dialogut me grevistët.

Mllefi i akumuluar te një segment i të djathtës tradicionale, nuk përmblidhet vetëm nën kulmin e çadrave të grevës së urisë së të përndjekurve politikë. Në tetë vjet PD u “ka dalë fjale” jo vetëm të burgosurve, por edhe pronarëve të vjetër, të cilët shohin sesi vitet ikin, pronat u legalizohen atyre që kanë ndërtuar ilegalisht, kurse qeveria vijon të thotë të njëjtat gjëra. Në fund të mandatit të dytë qeverisës, Partia Demokratike dhe disa aleatë të saj të vegjël (siç është PR), do të kenë një përballje të vështirë me këto kategori sociale, që nuk kanë se ku t’i kërkojnë dhe t’i pretendojnë tjetër, veçse te Berisha, Topalli apo Mediu, të drejtat që u përkasin prej vitesh me ligj. Me sjelljen e tyre ndaj grevës së të burgosurve të Enver Hoxhës, këta shtetarë i kanë shtuar edhe një gur tjetër murit të ndarjes nga ata që i sollën në pushtet me saze dhe vota në vitin 2005.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA