
I dërguari ndërkombëtar i paqes për Sirinë, Lakdhar Brahimi, u takua me Bashar Al Assadin në Damask dhe ndonëse nuk janë dhënë ende detaje të temës së bisedimeve mes tyre, pak a shumë mund të merret me mend.
Brahimi është në Siri me një mision të qartë: të nxisë si qeverinë, ashtu dhe rebelët për ripërtëritjen e armëpushimit gjatë periudhës së Kurban Bajramit. Të premten ai u takua me shefin e diplomacisë siriane dhe krerë të opozitës. Ministria e Jashtme siriane lëshoi një deklaratë ku sqaronte se i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe kishin diskutuar mbi ndalimin e dhunës, në mënyrë që të nisin përgatitjet për një dialog pa ndërhyrje të jashtme, mënyra e vetme sipas regjimit, për të dalë nga kriza.
Bisedimet e tyre u errësuan nga tensionet në Libanin fqinj, ku liderët opozitarë e lidhin regjimin sirian me vrasjen e shefit të sigurisë, Al Hassan. Por dhuna ka vazhduar edhe në Damask. 10 vetë u vranë sot nga shpërthimi i një autobombe që tronditi një zonë të krishterë të kryeqytetit.
Luftime të ashpra u raportuan edhe në rrugën kryesore mes Damaskut dhe Alepos të shtunën, sidomos përreth Maarat al-Numan. Qyteti ka qenë në duart e rebelëve për më shumë se një javë dhe konsiderohet i një rëndësie strategjike për të mbajtur të hapur rrugën e furnizimeve mes Alepos dhe kryeqytetit. Civilët në Siri e kërkojnë me dëshpërim armëpushimin, por të paktën janë ata që besojnë se forcat e Assadit do të pranojnë ta vënë në zbatim. Brahimi po këmbëngul që të paktën pushimzjarri të vendoset për periudhën e Kurban Bajramit, që nis të premten e vazhdon përgjatë gjithë fundjavës.
Top Channel