Poliçan, drejtori i uzinës mohon aferat

20/10/2012 19:30

Pas skandalit të publikuar nga “Fiks Fare”, se në uzinën e Poliçanit bëhet ripaketim i municioneve në vend që të demontohen, ka ardhur edhe reagimi i drejtuesit të kësaj uzine.

Në një deklaratë për shtyp citohet zoti Lulëzim Gojka që deklaron se: “Pretendimi për shitje të paligjshme të fishekëve është absurd dhe proçesi i ripaketimit të municioneve është praktikë normale pune. Ne nuk shesim fishekë që nuk prodhohen nga Kombinati Mekanik i Poliçanit”.

Sipas Gjokës, në kuadër të shkatërrimit të municioneve të vjetra, uzina bën seleksionimin përpara djegies së tyre, në mënyrë që ato municione të vlefshme të mos shkatërrohen, por të përdoren për qëllime të ndryshme të ushtrisë.

“Data që vendoset në kutitë e reja është data e ripaketimit dhe gjithçka është mëse normale”, thotë drejtori i uzinës së Poliçanit në këtë deklaratë, ku shton se nuk mund të ndryshohet kurrë data e prodhimit të fishekëve.

“Sepse ajo është e stampuar në mënyrë teknologjike, në mënyrë të patjetërsuar në fundin e gezhojës së çdo fisheku. Po ashtu, pasi bëhet seleksionimi i fishekëve bëhet ripaketimi dhe tërë kjo dinamikë është shumë transparente dhe brenda të gjitha ligjeve dhe udhëzimeve. Mbi arkat me fishekë të rregullt shënohet mbishkrimi i ripaketuar”, vijon Gjoka.

“Fiks Fare” solli për publikun pamjet se si disa punonjëse hapin kutitë e vjetra metalike dhe fishekët i fusin në kuti druri në vend që ato të shkatërroheshin sipas projektit të mbështetur dhe nga qeveria amerikane.

Top Channel