
Lance Armstrong në daljen e parë publike pas skandalit të dopingut deklaroi se po kalon disa javë të vështira, duke shmangur kështu komentet mbi akuzat e agjencisë amerikane anti-doping për përdorim substancash të palejueshme në sport.
41-vjeçari u shfaq në një takim në kuadër të fondacionit “Livestrong”, puna e të cilit është e përqendruar në ndërgjegjësimin e shoqërisë në luftën kundër kancerit, betejë që vetë Armstrong e fitoi vite më parë.
Ai u tërhoq nga detyra si president i këtij fondacioni pak ditë më parë duke deklaruar se nuk po i përkushtonte më kohën e nevojshme kësaj detyre. Sa për raportin e USADA-s, Armstrong këmbëngul në pafajësinë e tij.
Por ndryshe mendon agjencia amerikane anti-doping. Në një raport prej 1 mijë faqesh, kjo agjencia thotë se çiklisti ishte zemra e rrjetit më të sofistikuar të përdorimit të lëndëve të palejueshme në sport.
“Skuadra “US Postal” e Armstrong organizoi një sistem të tillë, nëpërmjet të cilit, çiklistët profesionistë vendoseshin nën presion për të përdorur substance të rrezikshme për shëndetin, duke fituar një avantazh të padrejtë dhe fituar njëkohësisht imunitetet nga analizat anti-doping, nëpërmjet përdorimit të produkteve dhe praktikave dopiuese të nivelit më të lartë”, shkruhet në raportin që baltos Armstrong.
Shtatë herë fituesi i Turit të Francës, sipas raportit, realizonte transfuzione gjaku përpara garave, injektonte tek vetja testosteron dhe orkestronte një kod heshtje brenda skuadrës me çiklistët e tjerë që detyroheshin të dopoheshin dhe kërcënoheshin me shkatërrimin e karrierës nëse do të spiunonin.
Në përfundim të këtyre hetimeve, agjencia amerikane mori vendim për heqjen e shtatë titujve të Turit të Francës që Armstrong fitoi nga 1999 deri në 2005. I vënë në dijeni për provat e reja të USADA-s, Komiteti Ndërkombëtar i Çiklizmit ka mundësi të apelojë cështjen. Megjithatë, zyrtarë të këtij komiteti thanë se do të shqyrtojnë më parë hollësisht dosjen e marrë nga USADA dhe diku nga fundi i këtij muaji do të vendosin se cfarë do të bëjnë.
Top Channel