Numrat ndonjëherë edhe mund të shkaktojnë frikë. Kjo, sepse po t’i shohësh mirë tregojnë shoqërinë e ditëve të sotme. Dhe në rastin e papunësisë shqetësimi është mëse normal, sidomos përsa u përket të rinjve.

Një studim i ri i Eurostat tregon atë që po ndodh në vendet evropiane. Një grafik i “The Atlantic” flet qartë: numri i të rinjve që nuk kanë një punë sa vjen dhe rritet. Të dhënat janë azhornuar në gusht dhe janë paraqitur vetëm tani.

Në Greqi flitet për 55 për qind të rinj të papunë, ndërsa në Spanjë 33 për qind. Kjo do të thotë se ka më shumë persona nën 25 vjeç që nuk kanë një vend pune, kundrejt atyre që e kanë. Ndërsa në Itali, të paktën një i ri në tre nuk ka një punë.

Por këto të dhëna nuk marrin parasysh personat që kanë hequr dorë nga kërkimi i një pune, pa harruar edhe se përqindjet reale që mund të jenë më të larta. Veç Greqisë dhe Spanjës, shifrat në rritje po trembin edhe Italinë.

“Për këta lloj personash nuk ka asnjë garanci. Në Itali të rinjtë shpëtojnë falë prindërve që kanë një punë ose një pension. Por megjithatë, edhe ky thesar i vogël po shkon drejt reduktimit”, deklaron specialisti Alessandro Rozza.

Sipas tij, teksa në të gjithë Evropën ekziston një mirqënie që tutelon edhe ata që nuk arrijnë të gjejnë një punë, Italia dhe Greqia janë të vetmet që nuk japin asnjë sigurim.

Top Channel