Nesta: Italia nuk më mungon

19/10/2012 20:30

Një prej mbrojtësve më të mirë në historinë e futbollit modern, Alessandro Nesta është duke shijuar në maksimum përvojën e tij të fundit të karrierës, atë në radhët e kanadezëve të Montreal Impact, ndërsa në një intervistë për rrjetin “Mediaset”, theksoi se nuk e ndien mungesën e Serisë A.

“Këtu ka shumë më pak presion se në Itali, por futbolli italian nuk më mungon. Jam përshtatur shumë mirë, ashtu si familja ime. Fakti që në ekip kam disa lojtarë që kanë luajtur në Itali, si Di Vaio, Ferrari apo Rivas, më ka ndihmuar edhe më shumë”, deklaroi Nesta gjatë intervistës së tij.

Duke u ndalur tek ajo që ka lënë pas, 36-vjeçari shtoi: “Më pëlqente mënyra se si jetoja në Itali, por nuk mund të them se më mungon ai presion i çmendur i disa ndeshjeve. Një jetë e ndërmjetme midis Italisë dhe Kanadasë do të ishte perfekte. Le të themi që ndërsa nuk më mungon presioni i çmendur i Serisë A, edhe qetësia e plotë nuk është ideale për të jetuar”.

I pyetur nëse Seria A ka humbur shumë në cilësi pa të dhe lojtarë të të njëjtit brez, si Seedorf, Del Piero, Gattuso dhe të tjerë, Nesta u përgjigj: “Sinqerisht, mendoj se gjithçka është me cikle. Tani ka ardhur momenti i Spanjës dhe i Gjermanisë për të shijuar, por me cilësinë që kemi në kombëren U-21, mendoj se shumë shpejt do të vijë sërisht radha jonë”.

Në fund, qendërmbrojtësi iu referua edhe faktit se nipi i tij ka filluar të luajë me të rinjtë e Romës. “Le të themi që është pak e çuditshme, e gjithë familja është me Lacion dhe do të kishte qenë më mirë të luante me të rinjtë e tyre. Megjithatë, nuk më takon të ndërhyj në jetën e tij. E rëndësishme është që ndodhet në një skuadër serioze dhe ka mundësinë të ecë përpara”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta