Krerët e BE-së kanë përshëndetur nëpërmjet një deklarate të përbashkët përparimin e Greqisë që pothuajse ka përfunduar një marrëveshje me ekspertët e Trojkës për paketën e masave dhe reformat administrative që do e nxjerrin vendin nga kriza dhe do sigurojnë qëndrimin në eurozonë.

Kryeministri Samaras është shprehur i kënaqur që Brukseli ka njohur sakrificat që kanë bërë qytetarët e tij, por ka theksuar nga ana tjetër se Greqia e ka të nevojshme sa më shpejt këstin e ndihmës prej 31.5 miliardë eurosh, pasi arkat e saj boshatisen krejtësisht në 16 nëntor.

“Të gjithë janë optimistë se ne jemi duke bërë gjënë e duhur, besojnë se në Greqi kemi bërë sakrifica të mëdha dhe për këtë arsye mendojnë se nëpërmjet punës së vështirë këto sakrifica do të plotësohen me masat që do të na ndihmojnë të dalim shpejt nga kriza, të stabilizojmë ekonominë dhe të ulim reçesionin, të ndjekim rrugën e progresit”, ka deklaruar Samaras.

Samaras në tone dramatike u ka bërë thirrje udhëheqësve të BE-së se, sapo të arrihet marrëveshja të lëvrohen menjëherë paratë, sepse shoqëria ka mbërritur në limitet e durimit të saj, papunësia është kthyer në një makth, të rinjtë nuk ëndërrojnë më dhe çdo grek kalon një dramë personale. “Unë dua t’ua kthej atyre buzëqeshjen”, ka thënë ai.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, që ka pasur një takim prej 45 minutash me kryeministrin grek, ka deklaruar se Athina ka bërë përpjekje të mëdha për arritjen e objektivave të vendosur nga kreditorët.

“Për Greqinë thamë qartë se pritet të plotesojë detyrimet e saj dhe duke e bërë këtë, sigurohet ekzistenca e saj në eurozonë. Ka një lidhje të qartë midis kushteve për zbatimin e kërkesave dhe qëndrimin e saj në zonën e monedhës së përbashkët”, ka thënë Merkel.

Ndërkohë, si shenjë e qartë e ndryshimit të klimës në favor të Greqisë interpretohet edhe pranimi i ftesës së Samaras për të vizituar Athinën nga presidenti francez François Hollande dhe homologu italian Mario Monti.

Ndërkohë, lideri i opozitës greke të Radikalëve të Majtë, Aleksis Tsipras, të cilin sondazhet e fundit e rendisin në vendin e parë të preferencës së grekëve, ka deklaruar pas përfundimit të samitit se, Samaras dhe qeveria e koalicionit u dhanë kreditorëve gjithçka nga Greqia dhe nuk morën asgjë prej tyre.

Top Channel