Vendimi: 160 milionë lekë, zbukurime për qytetin

18/10/2012 00:00

Qyteti i Tiranës do të shkëlqejë nga zbukurimet, ngjyrat dhe
dekoracionet, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Përveç rreth 500
milionë lekëve të vjetra që iu vendosën në dispozicion Bashkisë së
Tiranës për organizimin dhe realizimin e punëve dhe projekteve me rastin
e 100-vjetorit, Këshilli i Ministrave ka marrë një tjetër vendim për
qeverinë vendore.

Konkretisht, dy ditë më parë, në mbledhjen e qeverisë, nëpërmjet një vendimi qarkullues, i cili ndryshon nga vendimet klasike për shkak të hyrjes së fuqi në mënyrë të menjëhershme, i akordon bashkisë së kryeqytetit 160 milionë lekë të vjetra për zbukurimin e qytetit. Për festimet, organizimin dhe zhvillimin e procedurave tenderuese që nevojitet të realizohen në këtë rast, është pak vonë, megjithatë Bashkia e Tiranës ka mbledhur në mënyrë të menjëhershme vendimmarrësit për të përshpejtuar punët për festën e madhe.

Mbledhja

Fill pas vendimit qarkullues të Këshillit të Ministrave janë mbledhur në takim krerët e këshilltarëve në këshillin bashkiak dhe më pas është mbledhur për diskutime dhe shqyrtime edhe Komisioni i Ekonomisë i Parlamentit vendor. Këtu është diskutuar për fondin e vendosur në dispozicion të Bashkisë së Tiranës, duke iu bashkëngjitur vlerës 500 milionë lekë të dhëna më parë ekskluzivisht për realizimin e punëve dhe projekteve të kryeqytetit me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Këto para, 160 milionë lekë atashuar fondit ekzistues i janë marrë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe janë depozituar, si transferim fondesh, në depozitën e Bashkisë së Tiranës.

Organizimi, ngjyrat, festimet dhe të gjitha detajet që nevojiten për dekorin e qytetit do të vendosen, duke iu përgjigjur pritshmërive të ekspertëve që po kujdesen për festën e madhe.

Diskutimet

Në mbledhjen e fundit, këshilli bashkiak miratoi vendosjen e monumentit të Ahmet Zogut.

Kreu i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj, propozoi në mbledhje vendosjen e monumentit të Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.

“Ka konfuzion mediatik politik, të cilët e kanë konsideruar këtë 100-vjetor si 100 vjet shtet shqiptar, por nuk është shtet, por 100 vjet pavarësi dhe shteti shqiptar është më i hershëm nga ilirët deri sot. Figura e Ahmet Zogut ka dritëhijet e veta, ka qenë në krye të shtetit dhe natyrisht gëzon vlerësim, por më lejoni t’ju them se do të ishte në nder të këtij këshilli t’i kushtohej edhe Ismail Qemalit”, tha Rrokaj.

Kanë mbetur shumë pak kohë nga  shëni i datës dhe ende nuk ka një program të qartë festimesh, përveçse disa aktiviteteve të veçuara që pëmend nga institucione të caktuara. Kryeministri u ka kërkuar edhe një herë qeverisjeve vendore që të marrin masat për të kremtuar këtë ditë. Ai është ndalur veçanërisht në Vlorë dhe ka theksuar se do të kenë përgëzimet e qeverisë dhe në rast nevoje, edhe ndonjë mbështetje modeste.

Top Channel