Turqi, procesi ndaj pianistit “anti-islamik”

18/10/2012 15:30

Pianisti turk me famë botërore, Fazil Say, u paraqit në një gjykatë në Stamboll për t’u përballur me akuzën e nxitjes së urrejtjes dhe fyerjes ndaj vlerave të fesë muslimane.

Ai po gjykohet në lidhje me disa statuse që shkruajti në “Twitter”, në të cilat ndërsa përqeshte muslimanët radikalë, shprehte shqetësim edhe për ndikimin e islamit në vend.

Say, i cili nuk i ka pranuar akuzat, është shprehur i “befasuar” për faktin se duhet të përballet me një gjykim për shkak të bindjeve të tij.

Nëse pianisti do të shpallet fajtor, ai mund të përballet me një burgim maksimal prej 18 muajsh në burg.

Gjykimi i tij vjen në një moment delikat të raporteve midis botëse perëndimore dhe asaj islamike, me Pakistanin e vendosur në qendër të kritikave për ligjin e tij të blasfemisë, i cili përdoret për të dënuar me vdekje personat që ofendojnë islamin.

Njëkohësisht, çështja e tij vjen pak pas trazirave që ngjalli një film fyes për Profetin Muhamed, i xhiruar në SHBA, vrasjes së ambasadorit amerikan në Libi dhe atentatit ndaj një vajze 14-vjeçare, në Pakistan, pasi e mitura u gjykua si blasfemuese prej tyre.

Top Channel