“Top Story”, historia dhe politikanët

18/10/2012 00:00

Ndërsa 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë është duke “trokitur” në derë, debati mbi rishikimin e historisë është bërë gjithmonë e më aktual.

Shpesh herë, ky debat është politizuar rreth figurave të debatuara si Mbreti Zog apo figura të tjera të rëndësishme politike, por në të vërtetë, kjo është një çështje shumë më gjithpërfshirëse, që ka të bëjë me identitetin dhe kujtesën e vetë kombit.

Për të debatuar mbi këtë çështje, emisioni i përjavshëm i Sokol Ballës, “Top-Story”, bashkoi këtë të enjte një panel ekspertësh, duke nisur nga politikani, historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, profesori Pëllumb Xhufi, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika dhe analisti e studiuesi, Artan Lame.

”Deri në vitin 1990, unë kam 37 vite që punoj në Arkivin e Shtetit, sa më shumë lexonim, aq më shumë kuptonim se në shkollë bënim diçka që nuk përkonte me atë që po lexonim atje dhe dhembja më e madhe për ne ishte që nuk e ndanim këtë informacion me të tjerë. Pas vitit 1990, ka një tjetër qasje ndaj arkivit dhe dokumentit, jo në përkujdesje, por shfryëzimin e këtij dokumentacioni”, nisi debatin në studio zonja Nika.

Sipas Lames, hapja e arkivave ka sjellë një problematike të re në historiografinë shqiptare, atë të vlerësimit të shumë detajeve të panevojshme. “Përshembull, Mihal Grameno, sipas dokumentave, është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të një dashurie. Pyetja që duhet shtruar është nëse a ka ndikuar ky detaj në ngjarjet e kohës dhe historinë shqiptare në përgjithësi. Nëse jo, kjo është vetëm një pjesë e gosipit, por pa interes shkencor. Besoj se kërkohet domosdoshmërisht një filtër shkencor, që për fat të keq, falë mungesës së strukrurave shtetërore mungon. Fajësoj shtetin, pasi ndër vite nuk është bërë asnjë përpjekje për të mbajtur në vend studiuesit më të mirë, shumë prej të cilëve janë larguar ose kanë rreshtuar këtë punë”.

Duke qëndruar në këtë temë, Xhufi shtoi: “Duhet shkuar përtej të fshehtave të jetës personale të personaliteteve tona, prandaj duhet të ngrihemi mbi këtë debat, që shpesh nuk ka luajtur rol në sjelljen publike të këtyre personaliteteve. Duhet të shohim pikaty e konvergjencës me interes kombëtar. Rilindasit, të cilët patën një burim frymëzimi, të gjithë përfaqësonin një klasë të re, klasën e ashtuquajtur borgjeze, që frymëzoheshin nga iluminizmi e Revolucioni Francez. Është diçka që të magjeps, kur sheh letrat e tyre, i drejtohen njëri-tjetrit me i dashur vëlla, duke krijuar një etikë e re. Kjo tregon një përmbysje të vërtetë kultutore, që ndonëse ka nisur si një detaj i një sjellje personale, ka krijuar një kod dhe etikë të re në Shqipëri, prandaj përbën një interes për historinë”.

Një tjetër çështje me interes, është vlerësimi i pikëpamjeve dhe ideve të ndryshme që kanë qarkulluar mbi momente vendimtare të historisë së shtetit shqiptar. “Është normale që të kishte mendime të ndryshme se si do të bëhej Shqipëria. Ismail Qemali vinte nga një karrierë e gjatë nënpunësie në Perandorinë Osmane, normale që do të kishte ide të ndryshme nga Mithat Frashëri, Fan Noli, etj. Nga i gjithë ky grup atdhetarësh, kur vjen në momentin final kuptohet që kanë divergjencat e tyre, ashtu si në qeverisjen e parë të Qemalit, që hidhej ideja e krijimit të kantoneve, kishte debat për nga ku duhet të drejtoheshim për të gjetur përkrahje ndërkombëtare, etj. Megjithatë, ka një pikë që të gjithë këta figura i bashkon, patriotzmi”, tha nga ana e saj Nika.

Në një vlerësim personal, historiani Milo theksoi: “Në aspektin politik, jemi në të njëjtat raporte siç jemi sot. Po të reflektosh, lufta për pushtet tjetërson politikanët, kjo ka ndodhur gjithmonë në historinë shqiptare, por nga të gjithë këta, nuk e them për respektin e madh, Ismal Qemali është i vetmi që ka ruajtur integritetin e tij deri në fund”.

Historiani Xhufi, pasi foli për karakteristikat e Ismail Qemalit dhe aftësitë e tij, jo vetëm diplomatike, por edhe luftarake. Sipas zotit Xhufi, ai ishte në gjendje të elektrizonte masën dhe ta ngrinte atë në kryengritje kundër pushtuesit për cështje madhore kombëtare. Ndryshe është mendimi i historianit Xhufi për Ahmet Zogun. Për të argumentuar mendimin e tij, Xhufi solli në mendje reagimin e Qemal Ataturkut kur Zogu po përgatitej për t’u shpallur mbret. “Babai” I Turqisë moderne e cilësoi një “mbret operete” dhe kështu u njoh më pas Zogu, tha Xhufi.

Ndërsa historiani tjetër, Paskal Milo tha se festa e 100-vjetorit është politizuar dhe me tendencë po ngrihet figura e Zogut dhe po ulet ajo e Ismail Qemalit.

“Të krijon përshtypjen sikur ky është viti i Zogut, jo Ismail Qemalit me këto veprat që po bëhen. Po të ishte vetë Zogu gjallë do ta bënte shumë herë më mirë përvjetorin nga çka po e bëjnë këta sot. Festa e 25-vjetorit të Pavarësisë, unë kam parë se si është organizuar nëpër dokumente, ka patur më shumë seriozitet për hir të vërtetës. Emri i sheshit Skënderbej është vënë në atë kohë, bëri konkursin, por monumentin e Skënderbeut nuk arriti ta bëjë”, tha zoti Milo.

Lidhur me akuzat për Ismail Qemalin se ka marrë fonde nga Austria, studiuesi Artan Lame mbrojti këtë fakt duke deklaruar se në konturet e asaj kohe, diku duhej të mbështetej financiarisht cdo politikan shqiptar. I së njëjtit mendim u shpreh edhe zoti Milo që nënvizoi se familja e madhe e Ismail Qemalit ishte një familje që nuk kishte pasuri.

Duke u hedhur tek figurat e tjera, drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika u ndal të Fan Noli. Në këndvështrimin e saj, Noli ishte një patriot dhe shkrimtar i madh, por dështoi të ishte një politikan dhe këtë, sipas saj, e vërtetoi në vitin 1924, kur nëpërmjet revolucionit të qershorit erdhi në pushtet, por nuk ishte në lartësinë e duhur për ta mbajtur atë.

Rishikimi i historisë gjithnjë e më shumë është në qendër të vëmendjes dhe zërat e lindur fillimisht në politikë, janë shtuar edhe në gjirin e vetë historianëve dhe specialistëve të fushës. Profesori Paskal Milo tha se është i nevojshëm rishikimi i historisë, por kjo duhet të ndodhë nga historianët dhe specialistët dhe personat e tjerë që nuk njohin faktet, duhet të qendrojnë larg kësaj cështje.

Duke u ndalur tek historia moderne, Shqipëria pas viteve të komunizmit, historiani Milo tha se kur dokumentet të maturohen, dmth kur të plotësohen afatet kohore për hapjen e tyre, do të dalin fakte tronditëse, çudira për aktorët kryesorë politikë të Shqipërisë së pas 1990-ës.

Top Channel