SHBA, nuk ka prova për spiunazhin kinez

18/10/2012 16:00

Një komision i sigurisë në SHBA nuk arriti të zbulonte prova se kompania e prodhimit të pajisjeve telefonike, “Huawei Technology”, është e përfshirë në aktivitet spiunazhi për llogari të Pekinit zyrtar.

Në një hetim 18-mujor, detaje të të cilit u publikuan të enjten nga “Reuters”, gjithsesi pranohej se depërtimi i kompanive telefonike kineze në vend përbën një rrezik më të madh se ai në çdo industri tjetër.

Për këtë arsye, një raport paralel i Kongresit, paralajmëroi një javë më parë kundër depërtimit në vend të kompanive telefonike “Huawei” dhe “ZTE Corp”.

”E dimë se disa prej anëtarëve të Kongresit kishin dëshirë që të kishim gjetur të paktën një provë për përfshirjen e “Huawei” në aktivitet spiuazhi, por nuk ka asnjë fakt që të na bëjë të besojmë diçka të tillë”, deklaroi një komisioner i sigurisë për “Reuters”.

Të dy kompanitë, kanë reaguar duke thënë se aktiviteti i tyre po paragjykohet dhe se ato nuk janë përfshirë asnjëherë në aktivitete spiunazhi në interes të shtetit kinez.

Top Channel