Gjergj Ndreca, ish i burgosuri politik që tentoi vetëflijimin javën e shkuar, u kthye në mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë pas kurimit në Selanik.
Ai tha se u nis me ambulancë pasi dëgjoi për vendimin e gjykatës së Tiranës që shpalli grevën si të paligjshme.
Në një intervistë për Top Channel ai thotë se greva do të vazhdojë, ndërsa i përgjigjet edhe akuzave të kryeministrit Berisha se ai ka privatizuar fabrikën e miellit në Lac.
TCH: Pse vendosët të linit spitalin dhe të ktheheshit në Shqipëri?
Ndreca: Spitalin vendosa ta lë sepse unë mora vesh që bashkëvuajtësve të mi u kanë nxjerrë një klauzolë, gjoja, për t’i nxjerrë nga greva e urisë. Mua m’u desh të vija patjetër këtu megjithë këtë shëndet shumë të rënduar. E ardhmja e grevës do të vazhdojë që nesër me të gjithë negocimet.
TCH: Kryeministri Berisha thotë se ju keni ndërmarrë një grevë politike. Cili është komenti juaj për këtë?
Ndreca: Kjo grevë është si ajo e ’73 e Spacit në Mirditë. Politika lidhet me ekonominë, ne nuk kemi marrë pjesë në politikë 22 vjet, përvec Pjetër Arbnorit që ishte kryetar Parlamenti ne nuk kemi marrë pjesë kërkund.
TCH: Meqenëse jemi tek Kryeministri, pak ditë më parë ai ka deklaruar se ju dhe vëllezërit tuaj keni privatizuar një fabrikë. Cila është e vërteta?
Ndreca: E vërteta është kjo, fabrikën e miellit e kemi marrë në ankand me Ndue Lushin, djalin e Zef Lushit, që ka jetuar 50 vjet në Kaliforni. Nga 84 milionë që ka mbajtur në ankand Sali Berisha e kemi marrë 230 milion me letra me vlerë, por letrat e vlerë ua kemi marrë shokëve tanë 100 për qind.
TCH: Ka pasur debate në media se ku e gjeti guximin Gjergj Ndreca të vetëflijohet duke u djegur me benzinë?
Ndreca: Nëna ime që është sot 87 vjece ka djegur tre herë shtëpinë nga sigurimi i shtetit duke kërkuar babën. Që është dëshimtare ka djegur shtëpinë me duart e veta. Duke bërë gjithë këtë persekutim si mos ta gjesh veten kur te vjen shpirti për të dalë. Kur je prind, vetë i gjashtë me katër fëmijë. Si nuk mund ta gjesh, kur të gënjen Kryeminstri ditën për diell,kush është në grevë thotë, ky është socialist, ky është komunist.
Top Channel