Viktor Ponta, kryeministri i Rumanisë, zhvilloi një takim me kreun e
opozitës shqiptare Edi Rama, ku është biseduar për perespektivën
europiane njëkohësisht edhe planin e bashkëpunimit sot në opozitë e
nesër në Qeveri.

Diskutimi me Kryeministrin rumun është fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh. Siç njofton Zyra e Shtypit e PS, nuk janë lënë jashtë vëmendjes edhe tema të ndjeshme siç është ajo e qëndrimit të Rumanisë për çështjen e Kosovës.

“Jam shumë i lumtur të takoj këtu në Bukuresht mikun tim dhe kolegun Edi Rama. E sigurova atë se Rumania si vend, populli rumun, e po ashtu edhe unë si kryeministër, do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë për të arritur progres dhe për patur një jetë më të mirë si dhe për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Ne kemi eksperiencat tona si vendi më i ri anëtar i Bashkimit Europian. Unë e di shumë mirë se është e vështirë, por mendoj se e ardhmja e Shqipërisë, si dhe e Rumanisë, pra e të gjithë rajonit tonë, është vetëm integrimi europian dhe besoj se shumë shpejt ju do ta meritoni dhe do jeni gati të jeni pjesë e Europës”, tha Ponta.
 
“Ishte një kënaqësi e madhe sepse ishte një takim mes miqsh përveçse një takim me Kryeministrin e Rumanisë që besoj do të jetë kryeministri i Rumanisë edhe pas zgjedhjes të pak mujave më pas, për të diskutuar për një bashkëpunim afatgjatë, për të shtruar disa piketa në një ndërveprim lidhur me Europën me perspektivën europiane të Shqipërisë. Për të cilën, Rumania pa dyshim mund të luajë një rol të madh si një vend që mund të japë një shtysë të rëndësishme. Ashtu sikundër edhe për Programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ku jam i bindur do të kemi ndihmë të konsiderueshme duke u bazuar tek fakti që qeveria aktuale po arrin të trajtojë krizën ekonomike pa cënuar rritjen ekonomike, rritjen e punësimit,  rritjen e mbështetjes sociale ashtu si edhe ne e dëshirojmë për Shqipërinë”, u shpreh Rama.
 
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rumun Bukuresht, kryesocialisti Rama është takuar edhe me kryetarin e Parlamentit rumun, Valeriu Zgonea.

Top Channel