Pajisjet e Poliçanit për skrap

18/10/2012 23:30

Kombinati mekanik i Poliçanit po shkatërrohet dhe pajisjet e tij po shiten për skrap. Pas denoncimit të skandalit të ripaketimit të fishekëve kallashnikov, “Fiks Fare” tregoi se si  shiten pa dalë në ankand tornot, radifikët dhe presat me të cilat është punuar për vite me rradhë në këtë kombinat.

Në pamje duket qartë se kamionët që dalin nga kombinati i Poliçanit nuk ishin të ngarkuar vetëm me skrapin e predhave të demontuara, por me hekur të nxjerrë nga magazinat dhe ndërtesat e shkatërruara.

Prej ditësh ka nisur heqja nga repartet e këtij kombinati të tornove dhe frezave, për t’i shitur më pas për skrap. Gazetarët kanë mundur të futen në Kombinat, pasi kanë siguruar një fletëhyrje të lëshuar nga ana e drejtorit, i cili është vënë në dijeni se gazetari i prezantuar si tregtar donte të blinte një torno e një frezë.

Edhe pse është një institucion i sigurisë së veçantë, në këtë kombinat mund të hyjë kushdo lirshëm, nëse kërkon që të blejë tornot apo presat disa tonëshe.

Të shoqëruar nga kryeinxhinieri dhe inxhinierët e kombinatit të Poliçanit, gazetarët e “Fiks Fare” kanë hyrë në magazinat ku qëndronin të grumbulluara pajisjet, të cilat presin që të shiten për skrap. Gjatë bisedave, që gazetari i prezantuar si tregtar ka zhvilluar me dy inxhinierët e kombinatit të Poliçanit, mësoi se tornot e mbledhura për skrap në magazinë janë të pakonsumuara dhe mund të vihen në punë.

Përpara shitjes, këto torno kalojnë për riparim në repartin e mekanikëve dhe vetëm më pas mund t’i blesh, duke të llogaritur në çmim edhe shërbimin e riparimit. Një kg varjon nga 100 deri 120 lekë të reja.

Nëse kërkon skrap me shumicë, të shesin edhe tornot që janë në punë. Gazetarëve të “Fiks Fare”, punonjësit e kombinatit mekanik të Poliçanit u kanë sugjeruar që të prenotojnë për të blere një torno, në të cilën aktualisht punohet, por që shumë shpejt do e nxjerrin në shitje.

Top Channel