Irani kundërshton Turqinë për Sirinë

18/10/2012 18:20

Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, bëri thirrje për një armëpushim në Siri dhe nisjen e një dialogu kombëtar, me qëllim zgjidhjen e krizës.

Megjithatë, Ahmadinejad iu kundërvu një propozimi të Turqisë, për zëvendësimin e Presidentit Bashar al-Assad, nga ndihmësi i tij Farouk Shara, gjatë periudhës së tranzicionit.

”Vazhdimi i konfliktit dhe vrasjet që po ndodhin ndaj sirianëve të pafajshëm dhe të paarmatosur është e papranueshme. Duhet të vendoset një armëpushim dhe dialogu midis palëve duhet të nisë”, deklaroi Ahmadinejad për të përditshmen kuvajtiane “Al-Anbaa”.

Duke kundërshtuar propozimin e Turqisë, Presidenti i Iranit theksoi se zgjidhja nuk duhet t’u imponohet sirianëve nga jashtë.

”Zgjidhja duhet të gjendet brenda vendit. Janë sirianët ata që duhet të vendosin për të ardhmen e tyre nëpërmjet zgjedhjeve demokratike dhe të ndershme”, theksoi Ahmadinejad.

Gjithashtu, ai konfirmoi se çështja siriane zuri një pjesë të mirë të bisedimeve të së martës, me kryeministrin turk, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin u takua gjatë një samiti rajonal në Azerbajxhan.

Top Channel