Ambasadori britanik i kerkon ndjesë Argjentinës

18/10/2012 16:20

Ambasadori britanik në Kili, Jon Benjamin, kërkoi ndjesë për një deklaratë e cila u vlerësua fyese për veteranët argjentinas të luftës së ishujve Falklands, në vitin 1982.

Tifozët kilenë, në rivalitetin e ndezur futbollistik që kanë me fqinjët, fyejnë kombëtaren e Messit dhe të tjerëve me kore që i referohen luftës së humbur, ku ushtarët argjentinas vlerësohen “homoseksualë dhe frikacakë”.

Ambasadori Benjamin, në mënyrë të habitshme, u shfaq duke ndarë dhe mbështetur këto korre, në llogarinë e tij në një rrjet shoqëror.

”Kam një afeksion të madh ndaj miqve të mi argjentinas dhe respekt të thellë për kombëtaren e tyre të futbollit. Ai mesazh supozohej të ishte privat dhe synimi im ishte ta dërgoja në mënyrë private dhe jo ta publikoja për të gjithë. Dëshiroj të shpreh ndjesën time për këdo që mund të jetë ndjerë i ofenduar nga këto komente”.

Incidenti ndodhi në një moment veçanërisht të ndezur të marrëdhënieve midis Buenos Airesit dhe Londrës, në lidhje me sovranitetin e debatuar të Falklands, ishujve të njohur në spanjisht si Malvinas.

Rreth një mijë ushtarë, midis të cilëve 650 argjentinas, mbetën të vrarë në konfliktin e vitit 1982, që përfundoi me fitoren e Britanisë së udhëhequr në ato vite nga “Zonja e Hekurt”, Margaret Thatcher.

Argjentina fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810, me ishujt Malvinas si pjesë përbërë e territorit të saj.

Por, arkipelagu u pushtua në vitin 1829 nga Perandoria Britanike, e cila e ripagëzoi me emrin Falklands. Që prej atëherë, ishujt janë pjesë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar.

Top Channel