Vokalisti i Green Day vazhdon rehabilitimin

17/10/2012 15:20

Billie Joe Armstrong, vokalisti i grupit Green Day, mund të qëndrojë në rehabilitim deri në vitin 2013. Këngëtari është shtruar në klinikë për abuzim me substanca narkotike në muajin shtator, vetëm pak ditë pasi theu kitarën në shenjë proteste gjatë një koncerti në Las Vegas.

Një burim tha për revistën ‘Rolling Stone’: “Është në një proces pastrimi tashmë, po merr medikamentet e nevojshme. Doktorët ende janë duke vlerësuar gjendjen e tij. Nuk e di nëse do të dalë nga rehabilitimi para Krishtlindjeve.”

Sipas miqve të tij, Billie Joe nuk e kishte më nën kontroll veten dhe rehabilitimi ishte zgjidhja më e mirë për të.

“Ai duhet të kishte nisur me kohë mjekimet”, shprehet një nga miqtë.

Këngëtari 40-vjeçar doli jashtë kontrollit në muajin shtator kur gjatë një festivali në Las Vegas grupit iu shkurtua me 20 minuta koha në dispozicion për t’i lënë vend këngëtarit Usher. Billie Joe nisi të shante dhe të bënte gjeste ofenduese para se të thyente kitarën e tij duke mos harruar të tallej edhe me Justin Bieber.

Kur në ekranin e madh u shfaq se kishte edhe një minutë kohë, këngëtari ndaloi këngën në mes dhe tha: “Një minutë??? Jam në qarkullim që nga vitet ’80 dhe ju më lini në dispozicion vetëm një minutë të qelbur??? Nuk jam Justin Bieber o ndyrësira!”

Një zëdhënës i grupit tha për ‘TMZ’: “Green Day i kërkojnë falje të gjithë atyre që u ofenduan gjatë festivalit iHeartRadio në Las Vegas.”

Green Day janë të njohur me këngë si ‘Wake Me Up When September Ends’, ‘American Idiot’, ‘21 Guns’, ‘Boulevard of Broken Dreams’ etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA