Në kastin e “Iron Man”, por nuk e ka parë kurrë filmin

17/10/2012 15:40

Luan një nga personazhet më të dashur për fansat e filmit “Njeriu i Hekurt” (Iron Man), por Paul Bettany kurrë nuk i ka parë filmat ku bën zërin e kompjuterit të superheroit, J.A.R.V.I.S.

Në një intervistë për ‘Digital Spy’, aktori britanik ka pranuar se nuk e ka aspak idenë se çfarë tregojnë dy filmat e parë sepse ai lexon vetëm frazat e tij dhe jo të gjithë skenarin.

“Di vetëm që fëmijët e mi e dashurojnë atë film, por unë nuk e kam parë kurrë, as filmin e parë dhe as të dytin. Nuk janë për mua”, deklaroi aktori që aktualisht po punon për pjesën e tretë të filmit.

“Bëj zërin e një kompjuteri dhe mua më dërgojnë frazat që duhet të them, jo të gjithë skenarin. Ndonjëherë më duket vetja si hajdut. Hyj në studio, them disa fjali dhe dal nga studioja me një thes me para’. Zakonisht një aktor lodhet në xhirime, unë jo vetëm që nuk lodhem, por praktikisht nuk bëj asgjë. Ndihem në siklet sepse edhe filmat nuk i kam parë”, shtoi Bettany.

Aktualisht, filmi “Njeriu i Hekurt 3”, me protagonist kryesor Robert Downey Jr., po xhirohet në Florida (SHBA).

Top Channel