Europa luan xhiron e katërt eliminatore

17/10/2012 00:22

Janë luajtur dje në të gjithë Europën ndeshjet e radhës të vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”, ku vëmendja e të gjithë të apasionuarve të futbollit ishte fokusuar të sfida më e fortë e këtij raundi, ajo midis Spanjës dhe Francës në “Visente Kalderon”, e cila u mbyll në barazim 1-1.

Ishin kampionët në fuqi të Botës dhe Europës, të drejtuar nga Visente del Boske, ata që kaluan të parët në avantazh me anë të Serxho Ramosit në pjesën e parë, por “Gjelat” e Didië Deshamp arritën të gjenin golin e barazimit në minutën e 4-t shtesë, falë Oliver Zhirud.

Të dy ekipet kryesojnë me pikë të barabarta 7 grupin I eliminator, ku Bjellorusia mposhti 2-0 Gjeorgjinë në përballjen tjetër.

Surprizë ka qenë barazimi i jashtëzakonshëm i siguruar nga Suedia e Zllatan Ibrahimoviç ndaj Gjermanisë në transfertë, kur dihet se të besuarit e Hoakim Lëvit kishin një avantazh prej 4 golash kur ishin luajtur rreth 60 minuta lojë. Klose shënoi një dopietë për gjermanët në pjesën e parë, por ky rezultat duket se do të lërë një shije të hidhur për gjermanët, të cilët vazhdojnë të kryesojnë grupin C me 10 pikë të ndjekur nga Suedia me 7.

Irlanda dhe Austria siguruan 3 pikë secila nga përballjet respektive me Ishujt Faroe dhe Kazakistanin në po të njëjtin grup.

Italia mposhti 3-1 Danimarkën me golat e shënuar nga Montolivo, De Rosi dhe Baloteli, edhe pse luajtur përgjatë gjithë pjesës së dytë me 1 lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të Osvaldos. Të besuarit e teknikut Çezare Prandeli gjenden në krye të grupit B me 10 pikë, të ndjekur nga Bullgaria me 6 pikë, teksa ballkanasit nuk shkuan më shumë se barazimi 0-0 ndaj Çekisë në fushën e këtyre të fundit.

Portugalia dështoi gjithashtu të fitonte përpara publikut të saj, duke arritur vetëm një barazim 1-1 ndaj Irlandës së Veriut, teksa u gjendën fillimisht në disavantazh. Në grupin F, ku ndodhen luzitanët, Rusia kryeson me 12 pikë, Izraeli 7 dhe Portugalia 6.

Në grupet e tjera, Kroacia e Belgjika fitojnë me të njëjtin rezultat 2-0 ndaj Skocisë e Uellsit dhe kryesojnë së bashku grupin A në kuotën e 10 pikëve. Hollanda triumfon 4-1 në përballjen e grupit D ndaj Rumanisë, duke nisur kështu arratinë me 12 pikë teksa ndiqet nga Hungaria e Rumania me nga 9 secila.

Edhe dy kombëtaret e tjera ballkanike, Greqia e Bosnjë Hercegovina kanë fituar në ndeshjet e tyre kundër Sllovakisë e Lituanisë me rezultatet 3-0 dhe 1-0, duke qëndruar në krye të grupit G me nga 10 pikë secila, 3 më shumë se Sllovakia e vendit të 3-të.

Ndërkohë, ndeshja e vlefshme për grupin H mes Polonisë e Anglisë është shtyrë për ditën e sotme, pasi rreshjet e shiut e bënin të pamundur zhvillimin e ndeshjes gjatë ditës së djeshme.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA