Shqipëria për fitoren e fundit në “Qemal Stafa”

16/10/2012 00:00

“Qemal Stafa” mbrëmjen e sotme duket se do të presë për herë të fundit përfaqësuesen kuqezi, ku do të përballemi me Slloveninë.

I inaguaruar në vitin 1946, tempulli i futbollit shqiptar e ka kryer më së miri detyrën e tij deri në këto vite, kur shumë të huaj e shohin për muze, një pjesë tjetër detyrohen të qëndrojnë të sforcuar për 90 minuta pasi mungojnë shumë gjëra, duke filluar nga tualetet, tek mbulesa për tifozët, cilësia e dobët e ndriçimit, tashmë edhe ajo e fushës, një nga problemet kryesore që sollën edhe humbjen ndaj Islandës.

Përballë Sllovenisë ndoshta shumë tifozë do të blejnë biletën e fundit për të parë kuqezinjtë, të paktën sa i përket stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Shoqëria e re “Kuqezi”, që ka marrë në pronësi këtë aset, tashmë përfundimisht ka në plan fillimin e prishjes edhe me ndihmën e ushtrisë të këtij stadiumi, një pjesë e karshisë do të çmontohet për tu përdorur në ndonjë stadium tjetër, ndërsa imazhi historik, apo pjesa ballore e stadiumit do të ruhet.

Të gjitha këto janë projekte e mendime që kanë filluar nga viti 2010, kur u premtua se në festat e nëntorit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë do të inagurohej stadiumi i ri, por duke qenë se një plan i tillë dështoi, të paktën të fillojë prishja brenda nëntorit. Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht për të besuar në këtë premtim të radhës që ky do të jetë 90 minutëshi i fundit i “Qemal Stafës” për kuqezinjtë.

Në rast shembjeje, përfaqesuesja shqiptare mund të luajë në “Loro Boriçi” në Shkodër, ose në stadiumin e Teutës në Durrës, ndëra stadiumi i Skëndërbeut është më larg se 100 km nga aeroporti dhe nuk e plotëson këtë kusht të domosdoshëm. Gjithsesi këto janë zgjidhje emergjente dhe që mund të pranohen nga vëzhguesit e UEFA-s e FIFA-s vetëm nëse mund të mbyllin një sy.

Por në rast të zbatimit strikt të rregullores, FSHF-ja duhet të mendojë për një vend jashtë Shqipërisë për të zhvilluar ndeshjet e përfaqësueses.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB