Ish-lideri serbo-boshnjak Radovan Karaxhiç ka nisur mbrojtjen e tij në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.

Karaxhiç përballet me 10 akuza, mes të cilave genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve ’90.

Ai e ka nisur mbrojtjen duke thënë se duhet të ishte vlerësuar për të mirat që ka bërë dhe se kishte pasur sukses në reduktimin e vuajtjeve të njerëzve.

Duke folur i qetë, Karaxhiç ka theksuar se numri i viktimave të luftës ishte të paktën katër herë më i ulët se ai i cituar në media dhe se ai kishte ndalur avancimin e ushtrisë serbe disa herë kur ajo kishte qenë pranë fitores.

Ai ka thënë gjithashtu se është përpjekur për arritjen e marrëveshjeve të paqes, se ka aplikuar masa humanitare dhe ka nderuar ligjin ndërkombëtar.

“Ndërsa koha kalon, e vërteta do të bëhet gjithnjë e më e fortë dhe akuzat dhe propaganda, gënjeshtrat dhe mashtrimet do të bëhen gjithnjë e më të dobëta”, ka shtuar Karaxhiç.

Policia e arrestoi Karaxhiçin në vitin 2008 në Beograd, pas një arratije të gjatë pothuajse 13 vjet. 67-vjeçari doli për herë të parë para trupit gjykues të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në tetor të vitit 2009.

Vetëm akuza për genocid e ngritur ndaj tij lidhet me vdekjen e pothuajse 8 mijë myslimanëve boshnjakë, burra dhe djem, në Srebrenicë në vitin 1995.

Ngjarja në fjalë konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai gjithashtu po gjykohet lidhur me rrethimin 44-mujor të Sarajevës, ku humbën jetën mbi 12 mijë civilë.

Top Channel