“Sheikët” e futbollit italian

15/10/2012 19:45

Ndërsa futbolli është futur në epokën e sheikëve që bëjnë investime marramendëse, për të pasur kush e kush klubin më të fortë, Seria A është perfshire në krizë për shkak të mungesës së të ardhurave dhe yjeve të dikurshem.

Megjithatë, kjo është vetëm ajo që duket në sipërfaqe, pasi analiza mbi atë që kanë shpenzuar presidentët e klubeve kryesore ndër vite, i vendos ata në të njëjtin nivel, për të mos thënë në nivel më të lartë, se sheikët.

Në një përllogaritje të “La Gazzetta dello Sport”, mësohet se që prej marrjes së klubeve të tyre, 10 presidentët më të mëdhenj të klubeve italiane kanë shpenzuar bashkarisht 2,5 miliardë euro.

Me xhepat e mbushur nga fitimet prej naftës, modës, lodrave, gomave të makinave, supermarketeve dhe bizneseve të tjera të familjes Moratti, pronari i Interit mban vendin e parë të padiskutueshëm, me një shpenzim prej pothuajse një miliardë euro që prej marrjes së klubit në dorë, në vitin 1995.

Ekzaktësisht, zikaltërit kanë investuar në merkato 1,16 miliardë euro në këtë periudhë, por shumë pak kanë dalë nga arkat e klubit, vetëm 10-15%, ndërsa pjesa tjetër i përket shpenzimeve të kryera nga Moratti prej pasurisë së tij.

Ndërsa Moratti është “mbreti” i shpenzimeve, Berlusconi është “mbreti” i sukseseve, pasi 26 vitet e tij në krye të Milanit përkojnë me periudhën më të ndritur të historisë së klubit, periudhë gjatë së cilës janë fituar edhe pesë tituj në Champions League.

Në total, ish-kryeministri i Italisë, njëkohësisht manjat i mediave dhe ndërtimeve, ka shpenzuar për kuqezinjtë plot 600 milionë euro.

Juventusi, gjiganti i tretë i futbollit italian, është i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me emrin e familjes Agnelli, që prej vitit 1986. Megjithatë, familja ka qenë më e zgjuar në tërheqjen e investimeve dhe administrimin e klubit, falë edhe rikapitalizimeve apo shitjeve të aksioneve, që kanë kufizuar humbjet direkte të familjes në 214 milionë euro në pothuajse dy dekada.

Përsa i përket presidentëve të tjerë, renditja është si vijon. Garrone, në 11 vjet tek Sampdoria ka shpenzuar 181 milionë euro. Dalle Valle ka shpenzuar për Fiorentinën 165 milionë euro, Preziosi për Genoan 64 milionë, ndjekur nga Zamperini për Palermon me 59 milioën euro.

Në këtë renditje, presidentët që kanë shpenzuar më pak nga xhepi i tyre janë De Laurentis për Napolin dhe Lotito për Lazion, ndërsa presidenti i Udineses, Gianpaolo Pozzo, ka fituar disa dhjetëra milionë euro gjatë drejtimit të klubit.

Top Channel