“Turqia do t’i përgjigjet pa hezitim Sirisë”

14/10/2012 18:35

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka thënë se Ankaraja do t’i përgjigjet pa hezitim Sirisë në qoftë se do të shkelë sërish kufirin mes dy vendeve.

Në javët e shkuara, forcat turke i janë përgjigjur pothuajse të gjitha goditjeve të artilerisë siriane që përfundonin në territor turk, duke kërcënuar një reagim më të fortë.

“Dhunime të reja mund të ndodhin në kufi dhe ne do të përgjigjemi pas asnjë lloj hezitimi, nëse do të shohim që siguria kombëtare e Turqisë është në rrezik”, tha Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu.  

Turqia ndaloi cdo fluturim të avionëve sirianë mbi hapësirën e saj ajrore. Vendimi i Ankarasë për këtë erdhi pasi Damasku vuri të njëjtin sanksion ndaj fluturimeve turke.

Ndërkohë që dhjetra refugjatë sirianë kanë mbetur të plagosur mbrëmjen e së shtunës, teksa ushtarët e Damaskut hapën zjarr kundër tyre ndërsa ata përpiqeshin të hynin në Jordani.

Sipas agjencisë së lajmeve ANSA duket se shënjestra e ushtrisë kanë qenë rreth 400 refugjatë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, nga ku pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë për jetën.    

Top Channel