Sulmi i talebanëve në Pakistan ndaj një 14-vjeçareje që i kishte sfiduar ata duke ndjekur rrugën e arsimimit, ka prekur edhe popstaren, Madonna.
Gjatë koncertit të saj të fundit në Los Anxheles, këngëtarja ka zgjedhur një mënyrë të vecantë për të shprehur revoltën e saj kundër sulmit ndaj 14-vjeçares. Madona shprehu pikëllimin e saj për sulmin në fjalë me këngën “Human Nature”. Deri këtu ishte gjithcka në rregull, por lëvizjet në skenë të këngëtares veterane, që ngjasonin më shumë me striptizmin, u kritikuan ashpër. Shumë persona i quajtën ato lëvizje të pavend për rastin në fjalë.
14-vjeçarja pakistaneze, Malala Yousafzai, u bë e famshme për guximin e treguar në publikimin e ditarit të saj 3 vjet më parë për BBC-në, ku sfidonte militantët talebanë me vendosmërinë për t’u shkolluar, ajo i shpëtoi mrekullisht një atentati taleban kundër saj dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spitalet e Pakistanit.
Ditari u publikua nga BBC kur ajo ishte vetëm 11 vjeç dhe dy vjet pas marrjes së kontrollit të Luginës Suat nga militantët talebanë në Pakistan. Menjëherë pas vendosjes së kontrollit në këtë luginë, talebanët urdhëruan mbylljen e të gjitha shkollave për vajzat.
Malala, sot 14 vjeç, pa marrë parasysh rrezikun që e kërcënonte, sfidoi këtë urdhër dhe vendosi të vazhdonte arsimimin. Kurajo e saj u shndërrua në shembull për shumë vajza të tjera në luginë që e ndoqën nga pas.
Top Channel