Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se interesat e letrave me vlerë po
bien me shpejtësi. Në ankandin e fundit, interesi i bonove njëvjeçare ra
në 6.78 për qind, niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Por cilat janë arsyet? Së pari lidhen me atë që po ndodh në tregun financiar, ku likuiditeti i bankave vazhdon të rritet me ritme të larta. Të trembur nga kriza individët po priren gjithnjë e më shumë drejt kursimit. Në gusht depozitat arriten në rekordin historik 9.3 miliardë dollarë, 10.1 për qind më shumë se një vit më parë.

Por ndonëse kanë më shumë para në arkat e tyre, bankat hezitojnë të japin kredi për privatët për shkak të pasigurive nga kriza. Të dhënat tregojnë se në vlerë rritja e kredive ka qenë 2.5 herë më e ulët se ajo e depozitave. Në këto kushte Qeveria duket se është shndërruar klienti i preferuar dhe më i sigurtë ku bankat mund të përdorin paratë e tyre, qoftë edhe më fitime më të ulëta. Së dyti, rënia e interesave lidhet edhe me vetë kërkesën e Qeverisë.

Ministria e Financave përqendroi të gjithë huamarrjen në gjysmën e parë të vitit, duke mbajtur me një kërkesë të lartë në treg për borxh dhe sapo ezauroi kufirin e huamarrjes dhe uli kërkesën interesat ranë menjëherë nga 7.5 për qind gjatë gjysmës së parë të vitit, në 6.78 për qind aktualisht.

Ulja e interesave të bonove prek qytetarët që kanë investuar kursimet e tyre në letra me vlerë të Qeverisë, duke ulur përfitimet, por nga ana tjetër rënia e interesave ul dhe koston që Qeveria paguan nga taksat e qytetarëve për të shërbyer borxhin e saj.

Top Channel