Një zjarr i papritur ka përfshirë një apartament në katin e gjashtë të
një pallati tek zona e Unazës së Re në kryeqytet. Mësohet se zjarri ka
rënë në momentin kur në apartamentin në të cilën banonte familja e Flora
Balës, nuk ndodhej asnjë person dhe kanë qenë banorët e pallatit ata që
kanë njoftuar repartin e zjarrfikëseve.
Brenda pak minutash kanë shkuar në vendngjarje 5 zjarrfikëse, të cilat punuan për më shumë se 2 orë për shuarjen e flakëve. Sipas tyre ndërhyrja ishte e vështirë, për shkak edhe të lartësisë, ndërkohë që u bë i mundur neutralizimi i flakëve në dy mënyra, duke ndërhyrë nga dera e apartamentit por edhe nga ballkoni.
Nuk dihen ende shkaqet e rënies së zjarrit, por mësohet se apartamenti është djegur plotësisht. Ndërkohë 2 fqinjë, njëri prej tyre i paralizuar, janë ndjerë keq nga tymi dhe u është dhënë ndihma e parë dhe gjendja e tyre është stabilizuar plotësisht.
Top Channel