Titujt e Armstrong, të askujt

12/10/2012 17:40

Kreu i Turit të Francës, Christian Prudhomme deklaroi se nuk duhet të ketë asnjë fitues të këtij turi pas vendimit të agjencisë amerikane anti-doping për t’i hequr shtatë titujt Lance Armstrong.

“Ne s’mund të injorojmë atë që agjencia amerikane anti-doping, USADA zbardhi këtë javë. Nga sa përflitet deri më tani, bëhet fjalë për një panoramë të tmerrshme, një mashtrim galopant”, tha Prudhomme.

Armstrong fitoi shtatë herë radhazi këtë tur, nga 1999 deri në 2005 duke u shndërruar në një legjendë. Por hetimet e agjencisë amerikane anti-doping USADA dolën në përfundimin se gjithcka kishte qenë një mashtrim i madh që mediat amerikane e quajtën si më të madhin dhe më të sofistikuarin në historinë e sportit.

I vënë në dijeni për provat e reja të USADA-s, Komiteti Ndërkombëtar i Çiklizmit ka mundësi të apelojë cështjen. Megjithatë, zyrtarë të këtij komiteti thanë se do të shqyrtojnë më parë dosjen e marrë nga USADA dhe diku nga fundi i këtij muaji do të vendosin se cfarë do të bëjnë.

Shtatë herë fituesi i Turit të Francës, Lance Armstrong, realizoi transfuzione gjaku përpara garave, injektonte tek vetja testosteron dhe orkestroi një kod heshtje brenda skuadrës, me çiklistët e tjerë që detyroheshin të dopoheshin dhe kërcënoheshin me shkatërrimin e karrierës, nëse do të spiunonin.

Në një raport prej qindra faqesh të publikuar nga Agjensia Amerikane Anti-Doping (USADA), figurojnë gjithashtu dëshmi të pakundërshtueshme kundër çiklistit më të suksesshëm të historisë, përfshi edhe faturat e një pagese prej një milionë dollarësh, që amerikani kishte bërë për një mjek italian, i cili ndihmonte në realizimin e procesit dhe mbulimin e provave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA