
Frika e përhapjes së krizës greke në ekonomitë e varfëra të Ballkanit
Perëndimor ka shqetësuar krerët e institucioneve më të larta financiare
të botës.
Revista prestigjoze “The Times” shkruan se shefat e Bankës Botërore, FMN, BERZH dhe Bankës Europiane investimeve do të mbajnë një mbledhje të posaçme në Tokio ku do të diskutojnë mundësinë e një plani urgjent shpëtimi me vlerë 15 miliardë euro, për pesë vende që përfshijnë Shqipërinë, Rumaninë, Slloveninë, Serbinë dhe Maqedoninë.
Armë të mëdha financiare për të mbështetur Europën Juglindore të ekspozuar është titulli i “The Times”. Takimi mes krerëve më të lartë do të mbahet të dielën dhe qëllimi i tij është te ndalojë infeksionin grek t’i zhysë ekonomitë e dobëta të Ballkanit Perëndimor në një recesion më të thellë.
Revista citon kryeekonomistin e BERZH Erik Berglof, sipas te cilit plani i rigjallërimit do të jetë një përpjekje e madhe e kordinuar për të ndihmuar këto vende që janë më të ekspozuar ndaj krizës greke.
Sipas Berglof shumë prej tyre janë në nevoja urgjente. “The Times” zbulon se plani që do të diskutohet nga huadhënësit parashikon ndihmë si për bankat e këtyre vendeve po ashtu edhe për qeveritë. Shenjat e para të një angazhimi më të madh të donatorëve kanë ardhur edhe zyrtarisht. Pak ditë më parë Xhejn Ermitixh, drejtoresha e Bankës Botërore për Europën Juglindore tha në një intervistë për Top Channel se banka do të dyfishojë fondet për Shqipërinë në katër vitet e ardhshme për të ndihmuar ekonominë të përballet me krizën.
Top Channel