Jose Mourinho, trajneri i Real Madrid, ka dhënë një intervistë për ‘A Bola’ ku është shprehur se Topin e Artë e meriton Cristiano Ronaldo dhe se do të ishte krim nëse nuk do i jepet atij çmimi më i rëndësishëm individual në futboll.
“Të dielën pas Klasikes dhashë një përgjigje të drejtë për futbollistin tim dhe kundërshtarin duke thënë që nuk duhet të lejohet krahasimi mes tyre. Por, kur një koleg imi del dhe thotë se lojtari i tij është më i miri në planet, atëherë unë them që lojtari im ka lindur në Mars dhe rrjedhimisht nuk është nga planeti Tokë. I bie që lojtari im të jetë më i miri në Univers”, theksoi tekniku portugez duke iu referuar deklaratave të Tito Vilanovës që vlerësoi Messin si më të mirin në botë.
Më tej, Mourinho shpjegoi se pse Cristiano është më i mirë se Messi: “Messi e ka më të lehtë sepse është rritur në një ekip dhe luan me shokët që ka njohur që i vogël. Cristiano ishte në Angli, erdhi këtu në një ekip që nuk po fitonte prej vitesh dhe po rritet bashkë me ekipin. Gjithashtu Messi luan në 50 metra katrorë në një zonë ku distanca nga porta është më e vogël dhe mbrojtja është më pak intensive. Cristiano luan në krah dhe unë pyes: si ka mundësi që një lojtar krahu shënon njësoj sa një sulmues? Pa përmendur këtu që Cristiano është edhe një mbrojtës shumë i mirë në goditjet standarte.”
“Tek Cristiano kundërshtarët shohin një bishë dhe vetëm e godasin. Për një karton të verdhë duhen shumë goditje, ndërsa me Messin arbitrat sillen ndryshe. Faulli i parë dhe vjen kartoni i verdhë. Tek faulli i dytë kundërshtari del me të kuqe”, shtoi Mourinho.
Në fund, “The Only One” shpjegoi: “Nëse këtë vit Cristiano nuk fiton Topin e Artë, do të thotë se nuk ia japin sepse nuk është tip simpatik dhe nuk e shet mirë imazhin e tij në intervistat me gazetarët.”
Top Channel