Athina zyrtare përgatitet për mundësinë e një eksodi masiv të qytetarëve të Sirisë nga vendi i tyre. Një skenar i posacëm për këtë rast është përgatitur dhe po përfundohet në Ministrinë e Rendit në bashkëpunim me OKB dhe BE.

Lajmin e publikon agjencia franceze e lajmeve AFP që ju referohet burimeve të Ministrisë greke të Rendit. Sipas saj Greqia është e përgatitur në bazë të një plani të posacëm që parashikohet edhe nga harta e Kombeve të Bashkuara në rast përkeqësimi të situatës në Siri.

Skenari megjithëse është hipotetik parashikon pritjen e 20000 refugjatëve sirianë nëse do të jetë e nevojshme në qendra të vecanta.

Gjithashtu Turqia do të presë 130000 vetë, ndërsa Qipro 48000 vetë.

Sipas këtij plani të ministrisë greke sapo refugjatët sirianë të mbërrijnë në tokën greke do të cohen në qendrat e pritjes në ishujt Rodos dhe Kretë.

Plani është quajtur “Ioni” ashtu sic quhej edhe kolonia e parë greke në Siri në periudhën e antikitetit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Grigoris Delavekuras ka theksuar gjithashtu se është një prioritet për Greqinë si vend i BE, mbështetja e vendeve fqinje të Sirisë si Jordania, Libani dhe Iraku, të cilat kanë marrë përsipër deri tani peshën më të madhe të pritjes së qindra mijëra refugjatëve sirianë.

Top Channel