Një prej këngëtareve më të njohura në Kosovë, Eliza Hoxha, rrëfeu hollësisht jetën dhe aktivitetin e saj në një intervistë në emisionin e “Pasdites”, në “Top-Channel”.
Këngëtarja që e konsideron muzikën si një kauzë dhe një mënyrë për të përmirësuar jetën e komunitetit, përveç argëtimit, ndau me publikun përvojat e saj të shumta në katër profesionet që ka provuar të bëjë në jetë, foli për avantazhet dhe disavantazhet e jetesës së saj, për konceptet e urbanistikës në qytetet shqiptare dhe detaje të tjera të shumta të jetës së saj si person publik dhe privat.
Pasdite në Top-Channel: Disa ditë më parë, gjatë një koncerti, këngëtari i mirënjohur Adriano Celentano, i shkëput për disa minuta duke i dedikuar një fjalim të gjatë me ekspertë problemeve ekonomike me të cilat përballet sot bota. Ju, jeni një këngëtare që gjithashtu shpesh i keni përfshirë kauza të caktuara në artin tuaj.
Eliza Hoxha: Unë mendoj se është një detyrim moral dhe profesional, kur je person publik, që të reflektosh mbi fenomenet dhe proceset, sfidat e gjithçka përballet vendi ku jeton. Muzika është një medium që nuk duhet përdorur vetëm për argëtim, por edhe për të komunikuar mesazhe e reflektuar bashkarisht për të mirën e të gjithëve. Këngët e mia dedikuar të pagjeturve të luftës dhe “Himni im”, mbi himnin e Kosovës, janë disa prej këtyre kauzave. Unë nuk kam mundur të qëndroj indiferente ndaj aprovimit të tyre, që ishte një moment mërzitje në atë lumturi të madhe që ishte pavarësia, pasi kosovarët kanë luftuar dhe dhënë jetën për himnin dhe flamurin e vërtetë ndër shekuj.
“Pasdite”: Megjithatë, kjo nuk është çështja e vetme publike që ju keni mbështetur gjatë karrierës suaj si këngëtare, pasi i keni kushtuar një pjesë të krijmatisë suaj edhe fëmijëve të prekur nga sindroma “doën”.
Eliza Hoxha: Në fakt, duke punuar me disa këngë të ndryshme, më erdhi ftesa prej organizatës joqeveritare “Down Syndrome Kosova”, ata më përzgjodhën në një fushatë për të reflektuar mbi sfidat e këtij komuniteti dhe natyrisht e pranova me shumë kënaqësi. Pjesë e kësaj nisme ishte edhe kënga që bëmë, së bashku me grupin “Etno Ëngjëjt”.
“Pasdite”: E mbani mend ballafaqimin tuaj të parë me publikun në Shqipëri?
Eliza Hoxha: Pa dyshim që po. Hera e parë ka qenë në vitin 2000. Isha në “Top-Albania Radio” me këngën me ritëm do vallëzoj. Në atë kohë kënga u lançua shumë në Shqipëri dhe më tej edhe albumi me klipet. Kur u hap “Top-Channel” si një media alternative, i kushtoi shumë rëndësi transmetimit të këngëve shqiptare dhe kjo ndihmoi shumë popullarizimin tim në vend.
“Pasdite”: Megjithatë, janë të paktë ata që e dinë që ju keni nisur të këndoni shumë përpara vitit 2000, që në moshën 7-vjeçare.
Eliza Hoxha: Është e vërtetë dhe babai im është ai që më dha këtë shtysë. Ai ka punuar në “Radio-Televizion Prishtina”, ku kompozonte këngë për fëmijë dhe valle popullore. Kështu është ai që më përfshiu me muzikën, atëherë kur nuk e dija, normalisht si çdo fëmijë, se çfarë mund të bëja në jetën time.
“Pasdite”: Megjithatë, muzika është vetëm një prej profesioneve tuaj. Njëri prej tyre, është edhe fotografia.
Eliza Hoxha: Ka qenë një process interesant. Nuk kam pasur ndonjë dëshirë apo ambicje mbi këtë fushë, por jam natyrë që më pëlqen të sfidoj veten dhe fotografia ishte pjesë e jetës sime, një pasion dhe dëshirë e vetmja e imja. Me mbylljen e mediumeve në Kosovë, në fillim të viteve 1990, “Zëri Javor” u shndërrua në organin më të rëndësishëm të shtypit shqiptar dhe ishte oferta e tyre, ajo që më përfshiu në këtë profesion, pasi pranova të isha pjesë e redaksisë.
“Pasdite”: Njëkohësisht, ju jeni edhe një arkitekte. Studimet tuaja janë bërë pikërisht në këtë fushë. A kanë dicka të ngjashme fotografia dhe arkitektura?
Eliza Hoxha: Hapësira dhe përceptimi janë dy gjëra të ngjashme në të dy profesionet. Megjithatë, siç thashë, fotografia ishte vetëm një pasion i imi, asnjëherë një profesion i vërtetë. Një herë, mbaj mend se fotografova ylberin me filmin që kisha, zhvillova filmin dhe ylberi nuk doli. Të nesërmen, një koleg më solli dy libra mbi fotografinë. Është e rëndësishme që asaj që e përcepton ti dhe si e kornizon, të mbahet mbi të gjitha parasysh teknika e fotografisë. Me aparatet dixhitalë paksa është më lehtë, ndërsa në kohën tonë duhej përllogaritur ndjeshmëria e filmit, lëvizjet dhe shumë detaje të tjera.
“Pasdite”: Përpara se t’iu pyesim për profesionin tuaj të vërtetë, duhet thënë se Eliza është afruar për publikun edhe si prezantuese, në programin “Politikisht jokorrekt”, të një televizioni kosovar. Si e kujtoni atë përvojë?
Eliza Hoxha: Në përgjithësi unë jam një njeri i lirshëm dhe pa shumë komplekse, por ajo ka qenë një përvojë me të vërtetë e sikletshme për mua. Të jesh prezantuese, të kesh një situatë dhe disa mysafirë për të menaxhuar, në aspektin kohor dhe atë emocional, është edhe një sfidë në llojin e saj.
“Pasdite”: Si një arkitekte, ju duhet të keni ideuar vetë shtëpinë tuaj?
Eliza Hoxha: (qesh) Më në fund, edhe unë e kam një shtëpi të vogël timen. Pas studimeve në Belgjikë, nuk mund të jetoja dot në shtëpi me familjen time. Prandaj ky ka qenë një objektiv i rëndësishëm i jetës sime, dalja dhe jetesa si e pavarur.
“Pasdite”: Në këtë kuadër, sa e rëndësishme është pavarësia ekonomike për një femër?
Eliza Hoxha: Është shumë e rëndësishme. Në Kosovë dhe në Shqipëri flitet shumë për fuqizimin e femrës dhe barazinë gjinore, por gjithçka është e pamundur nëse femra është ekonomiksht e varur dhe nuk pavarësohet në sensin njerëzor. Në shtëpi, gjithmonë gjendet dikush i gatshëm për të të ndihmuar, prandaj vetëm kur jeton vetëm mund ta quhesh plotësisht i pavarur.
“Pasdite”: Përveçse e vetme, ju jeni edhe beqare. Sa e vështirë është të përballoni jetën pa një shpatull tjetër ku të mbështetesh?
Eliza Hoxha: Në familjen time, unë jam fëmija më i madh dhe nuk e kam pasur dikë përpara që të më hapë rrugë, ndaj jam mësuar të ndihmoj të tjerët dhe mos të pres asgjë prej të tjerëve. Kjo më ka ndërtuar që herët si njeri, thjesht unë kam nevojë për dikë që të më përkrahë moralisht, të tjerat i bëj vetë, nuk kam ide që duhet të kem një njeri që të jetë krahë për mua në jetë.
“Pasdite”: Ndonëse përpiqeni të bëni një jetë të veçuar dhe larg vëmendjes së mediave, ju shpesh përfundoni në faqet e gazetave rozë për romancat tuaja. A ju bezdis diçka e tillë?
Eliza Hoxha: Ndonjëherë bezdisem, sepse nuk jam tip i sherreve. Pa dyshim, edhe ne jemi njerëz dhe kemi të drejtë për jetën tonë private. Mund të bëhet publike kur ke një marrëdhënie që do e zhvillosh në kohë, por edhe ne kemi nevojë të njihemi më parë me një person dhe jo që ditën e parë mund të bëhet publike. Paparacët dhe lajmet koti ndonjëherë më bezdisin. Nuk e mohoj këtë pjesë të medias, por shpesh harrojmë përmbajtjen, vlerat e vërteta, duke vrapuar nga gjëra pa rëndësi të vërtetë.
“Pasdite”: Tashmë ju keni një album që ka disa vite që po zhvillohet. Së shpejti në treg?
Eliza Hoxha: Albumi im i tretë ka nisur të zhvillohet që përpara se të shkoja në Belgjikë. Megjithatë, shpenzova shumë për studimet e mia dhe për këtë arsye, nuk mund ta përballoja menjëherë sapo u ktheva. Së shpejti do të jetë në treg, ndonëse tashmë muzika nuk është më profesioni im primar, pasi jetoj nëpërmjet arkitekturës. Që prej vitit 2003-04 nuk këndoj më në jetën e natës, punoj vetëm për ndonjë projekt apo koncert humanitar.
Top Channel