Vlora në 100-vjetorin e Pavaresisë

11/10/2012 15:40

Arkitekti Pirro Stefa ka punuar për vite të tëra për krijimin e një koleksioni të veçantë me  foto, kopje të hartave mesjetare të realizuara nga lundërtarë e udhëtarë, kartëpostale të vjetra dhe vepra arti, të cilat tregojnë historinë e qytetit të tij të lindjes.

Stefa, i cili është edhe pjesëtar i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, në bashkëpunim me familjen e tij, kanë përgatitur një ekspozitë ku shpaloset e kaluara e Vlorës. Ekspozita ka çelur dyert për publikun në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet dhe i dedikohet kryesisht vitit jubilar të pavaresisë.  

Me anë të saj vjen më reale dhe e prekshme historia e qytetit bregdetar, ku përpara 100 vjetësh u hodhën themelet e shtetit shqiptar.

“Kemi kohë që kemi krijuar këtë koleksion me foto të vjetra dhe besoj që publiku do e njohë më mirë Vlorën, në mënyrë më të plotë. Mesazhi është ta ruajmë këtë qytet, monumentet dhe objektet e vjetra”, shprehet Pirro Stefa.

Ekspozita titullohet” Vlora në shekullin e Pavaresisë” dhe është një dëshmi e metamorfozës së vazhdueshme të fytyrës së Vlorës. Në të pasqyrohen objektet, rrugët, jeta sociale, luftërat dhe nostalgjia për qytetin e vjetër që ndryshon çdo vit.

Pjesë  e ceremonisë së hapjes ka qenë edhe shfaqja e një dokumentari kushtuar qytetit të flamurit. Realizimi i tij mban firmën e bashkëshortes së arkitektit, znj. Desdemona Stefa.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA