Brazili do të luajë sot ndaj Irakut një miqësore që do të zhvillohet në Suedi. Në ndeshjen e sotme do të luajnë për herë të parë së bashku Kaka’ dhe Neymar.
Mesfushori i Real Madrid ka luajtur për herë të fundit me Brazilin më 2 korrik të vitit 2010, në çerekfinalen e botërorit ndaj Hollandës, ku pesë herë kampionët e botës humbën me rezultatin 2-1.
Një muaj pas asaj ndeshjeje, me Brazilin debutoi Neymar (10 gusht 2010) në një miqësore ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Futbollisti i Santos shënoi një gol në fitoren 2-0 të skuadrës së tij.
Që nga ajo kohë, Kaka’ është “zhdukur” nga lista e të grumbulluarve, ndërsa Neymar është shndërruar në pikën e referimit të Seleçaos.
Sot do të zbresin njëkohësisht në fushë ndaj një kombëtareje tepër modeste, por që në pankinë ka një tjetër brazilian: Zico.
Top Channel