Silvio Berlusconi ka bërë të ditur se do të vazhdojë të jetë i lidhur me Milanin duke i dhënë fund spekullimeve sipas të cilave presidenti i kuqezinjve është i gatshëm të shesë një pjesë të mirë të aksioneve të klubit italian.
Ish-kryeministri i Italisë është president i Milanit që nga viti 1986 dhe me të në krye skuadra ka fituar plot pesë Liga Kampionesh. Suksesi në botën e futbollit e ndihmoi Berlusconin të bëhej i famshëm në vendin transalpin në kohën që filloi aktivitetin politik në vitet ’90.
Gjithsesi, në vitet e fundit sukseset nuk kanë qenë të shumta për Milanin dhe Berlusconi ka qenë i zënë me probleme politike dhe ligjore. Për këtë arsye kanë lindur hipoteza se ai po mendon shitjen e klubit ose të paktën shitjen e një pjese të mirë të tij.
Drejtori ekzekutiv i Milanit, Umberto Gandini, i përgënjeshtroi këto hipoteza duke u shprehur: “Berlusconi është një nga pronarët më të përkushtuar që mund të ketë një klub. Jam shumë i sigurtë që ai dhe familja e tij do vazhdojnë të na mbështesin.”
Top Channel