Shtatë herë fituesi i Turit të Francës, Lance Armstrong, realizoi transfuzione gjaku përpara garave, injektonte tek vetja testosteron dhe orkestroi një kod heshtje brenda skuadrës, me çiklistët e tjerë që detyroheshin të dopoheshin dhe kërcënoheshin me shkatërrimin e karrierës, nëse do të spiunonin.
Në një raport prej qindra faqesh të publikuar nga Agjensia Amerikane Anti-Doping (USADA), figurojnë gjithashtu dëshmi të pakundërshtueshme kundër çiklistit më të suksesshëm të historisë, përfshi edhe faturat e një pagese prej një milionë dollarësh, që amerikani kishte bërë për një mjek italian, i cili ndihmonte në realizimin e procesit dhe mbulimin e provave.
Sipas “USADA”-s, programi i udhëhequr nga Armstrong dhe bashkëpunëtorët e tij është më i sofistikuari në historinë e dopingut në sport.
“Skuadra “US Postal” e Armstrong organizoi një sistem të tillë, nëpërmjet të cilit, çiklistët profesionistë vendoseshin nën presion për të përdorur substance të rrezikshme për shëndetin, duke fituar një avantazh të padrejtë dhe fituar njëkohësisht imunitetet nga analizat anti-doping, nëpërmjet përdorimit të produkteve dhe praktikave dopiuese të nivelit më të lartë”, shkruhej në raportin që baltos shtatë herë fituesin e Turit të Francës.
Përballë provave të qarta, disa prej ish-shokëve të skuadrës së Armstrong pranuan të demaskonin skandalin, ndërsa vetë çiklisti vendosi të hiqte dorë nga e drejta për t’u mbrojtur, duke lejuar që çështja të bëhej publike.
Top Channel