Turqi, gjuajtësit ulin avionin sirian

10/10/2012 21:05

Gjuajtës ushtarakë turq detyruan një avion civil sirian që të kryente një ulje të detyruar në aeroportin e Ankarasë, ku avioni do t’i nënshtrohet hetimeve të hollësishme.

Sipas mediave turke, dyshohet se avioni që udhëtonte në linjën Moskë-Damask transporton armë për regjimin e Bashar al-Assad. Ai kishte leje për të kaluar mbi hapësirën ajrore turke.

Burime zyrtare turke konfirmuan se avionit i ishte urdhëruar të ulej, për të inspektuar ngarkesën e tij.

Detyrimi i avionit të ulet vjen në vazhdin e incidenteve midis Turqisë dhe Sirisë, të nisura pasi disa predha të ushtrisë siriane goditën gabimisht një qytet kufitar, gjatë javës së shkuar.

Këtij incidenti, Parlamenti Turk iu përgjigj duke autorizuar sulme mbi pozicionet kufitare të ushtrisë siriane.

Turqia është një prej mbështetëseve më aktive të forcave opozitare, që luftojnë për të rrëzuar qeverinë represive të Bashar al-Assad.

Midis shumë forcave perëndimore, rebelët sirianë kanë marrë edhe një mbështetje të qartë në deklarata nga Tirana zyrtare.

Top Channel