Kancelarja gjermane Angela Merkel tregoi mirëkuptim. Kështu e vlerësoi kryeministri grek vizitën e Merkel në Athinë, e shoqëruar nën masa të forta sigurie.

“Dalja e Greqisë nga Eurozona nuk është një opsion dhe vizita e Merkel tregoi një mbështetje reale ndaj Greqisë. Ne jemi gati të respektojmë detyrat tona dhe nuk kërkojmë para të tjera”, tha Samaras para gazetarëve grekë pas vizitës 6 orëshe të Merkel në Athinë.

Më tej, duke komentuar protestat anti-Merkel, ku shumë grekë e quajtën Merkelin si “naziste”, Samaras tha se armiku i Greqisë është recesioni dhe askush tjetër. Ai shtoi se objektivi i qeverisë duhet të jetë punësimi i të rinjve, në një kohë kur papunësia në rang kombëtar ka arritur mbi 20 përqind.

Vizita e Merkel, Syriza: Një dështim

Përkundër këndvështrimit të qeverisë për sukesin e vizitës së Merkel në Athinë, opozita radikale e majtë, Syriza e konsideroi vizitën “një falimentim”.

Kreu i grupit të radikalëve të majtë e fuqizuar së tepërmi në zgjedhjet e fundit në Greqi, Alexis Tsipras deklaroi për mediat vendase se vizita e Merkel në Athinë ishte një flluskë politike në mbështetje të një qeverie që po rrëzohet.

Gjatë vizitës së saj, mes protestave të grekëve, Merkel bëri thirrje për vijimin e reformave shtrënguese. “Shumë është bërë, shumë mbetet për t’u bërë. Por e rëndësishme është se ka dritë në fund të tunelit”, tha kancelarja gjermane.

Kjo deklaratë e saj nënkuptonte miratimin e masave shtesë shtrënguese që do të kursenin 13.5 miliard euro. Masat e reja kritikohen nga Syriza dhe lideri i saj vlerëson se këto masa do të zhysin akoma më shumë në krizë si Greqinë, por edhe vetë Europën.

Top Channel