“Lustracion” për Hamzajt e opozitës

10/10/2012 00:00

ARBEN MANAJ – Rasti i Qarkut të Fierit dhe “bishtpërdredhjet” e
partiakëve lokalë në flirtet e tyre politike dhe financiare me
pushtetin, përveçse kanë deformuar e shëmtuar vullnetet politike të
votuesve, po ngrenë një problem madhor për zgjedhjet e ardhshme të
përgjithshme në Shqipëri, të cilat ose do të ringjallin shpresën për
normalitet demokratik në vend ose do ta shndërrojnë vendin politikisht
në Azerbajxhanin e Ballkanit dhe Europës.

Marrja e votës nga të zgjedhurit ose përzgjedhurit paraprakisht partiakë, që gjatë fushatës “japin sinjalin majtas dhe pas zgjedhjeve kthehen djathtas”, apo edhe në shumë pak raste edhe e kundërta, është një fenomen që po kthehet në modë dhe normë në politikën shqiptare.

Historia është e pasur dhe sa vjen e bëhet më e larmishme dhe e pështirë, aq sa edhe e rrezikshme dhe demoralizuese për funksionimin normal të një demokracie perëndimore.

Në shkallë masive, një praktikë të tillë politike e aplikoi LSI-ja, e cila mori vota të majtësh për të mbajtur në pushtet të djathtët, e më pas në nivele më të vogla, deputetë të PS-së kanë votuar siç është pretenduar nën ndjelljen e parave për president të djathtë, apo ndonjë deputet i majtë i shkuar djathtas e sërish është kthyer majtas, pa harruar ndonjë Ndok filo-Kavajas, që bën lavjerrësin në mënyrë konstante, për të përfunduar në vendorët që shiten e blihen si dikur në Pazarin e Këlcyrës.

Dhe blerësi, pasi e ka vënë ndërshalësh delen apo gomarin e radhës, nëse mbetemi tek pazari i kafshëve të Këlcyrës, bën matrapazin, siç bën këto ditë Berisha me rastin e Fierit.

Politikisht, dikush mund të argumentojë duke thënë: “I lumtë Berishës kur gjen”.

Në politikë, shumë gjëra janë dhe do mbesin amorale, por si çdo vjedhje edhe kjo vjedhje elektorale, ose vetëshitje elektorale do duhet të jetë në mos e dënueshme, e revokueshme, dhe duhen gjetur mekanizmat ligjorë të aplikueshëm për çdo parti dhe çdo palë zgjedhjesh, sot dhe në të ardhmen.

Fatkeqësia e sotme në Shqipëri është se kemi të bëjmë me një pushtet dhe një politikan në rastin e Kryeministrit që gjithmonë ka ditur në politikë të shfrytëzojë maksimalisht për mbajtjen nën hyqëm të të tijve dhe jo vetëm të të tijve, dosjet e ish-Sigurimit, dosjet e korrupsionit dhe thesin me para.

Këtë gjë e ka bërë gjatë tërë këtyre 22 vjetëve dhe jam i bindur se nuk do të ketë as skrupullin më të vogël edhe në zgjedhjet e ardhshme politike.

Një pushtet, me kaq shumë para në dispozicion dhe super të pasur përreth familjes së tij politike, apo edhe me para shtetërore të rialokuara përmes procedurash të minutës së fundit në tenderët publikë si ato të rrugëve etj., shumë mirë mund t’i përdorë ato për blerje votash përpara dhe pas ditës së votimit.

“Thesi me miell” kësaj here i Agait do shndërrohet akoma më shumë në thes me para, pasi i tillë është momenti ekzistencial politik dhe personal i kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri, që gjithmonë është gabuar kur është menduar se ai është në faqet e fundit të novelës së tij politike.

Kjo rrethanë bën akoma më akute për opozitën, filtrimin edhe më të madh të kandidaturave të saj për ata që do nxjerrë në mejdanin politik, filtrim që duhet të jetë pa asnjë cen moral nga e kaluara dhe integriteti i tyre personal apo edhe në aktivitetet e tyre të biznesit, që mund t’ia përdorë pushteti për korruptim politik.

Flas për opozitën, pasi partia e Kryeministrit përdor metoda të tjera falangiste me ata që mund të bishtpërdridhen…

Nga natyra paraja nuk është kurrë e mjaftueshme dhe e bollshme për çdo qenie njerëzore dhe për asnjë moment nuk po nënkuptoj kandidatura që “të mos u dridhet dora për para” kur të jenë kandidatë, por nëse fukarallëku ekonomik nënkupton maskarallëk, fukarallëku shpirtëror nuk duhet asesi të nënkuptojë maskarallëk politik dhe elektoral.

Ndaj një lloj “lustracioni” dhe përkujdesje ekstreme lipset nga opozita në tërësi për çdo kandidat të saj parimisht “Hamza”, jo vetëm në nivel deputetësh, por edhe komisionerësh, të cilët lehtësisht mund të hedhin në erë çdo përpjekje titanike dhe të kushtueshme për korrektime sistemesh elektorale dhe çmontime ristan-lleshësh në nivelin qendror të administrimit të votës.

Nëse hapësirat për manipulim elektoral edhe mund të vijnë duke u ngushtuar, dhe prurjet antiqeveri dhe pro opozitës mund të shtohen, siç ndodh pas çdo mandati të dytë qeverisës, aq më tepër me këtë qeveri që drejton sot Shqipërinë, në këto zgjedhje të reja politike shqiptare, kam frikë se një rol akoma më të madh dhe vendimtar, do të vazhdojë të luajë fatkeqësisht blerja me para e kundërshtarit, para që janë të disponueshme në duart e pushtetit të korruptuar dhe korruptues.

Gazeta “Shqip”

Top Channel