Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se largimi i deputetëve nga seanca plenare e 3 tetorit është rast i papreçedent dhe se me këtë veprim po rrezikohet funksionimi i Kuvendit të Kosovës.

Sipas KDI, tendenca e partive në pushtet mund të jetë që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Realisht ne kemi konstatuar sjellje të tilla nga partia në pushtet. Qeveria e ka bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Ky ishte një preçedent në llojin e vet, sepse nuk di që në vendet demokratike parlamentare të ketë raste ku shumica të ikë nga seanca dhe të rrezikojë funksionimin e institucionit. Dhe kjo është hera e dytë”, ka deklaruar përfaqësuesi i KDI, Driton Selmanaj.

“Dhe nëse kemi një tendencë të tillë, që shumica nuk arrin që të bindë deputetët e vetë që të votojnë një çështje, atëherë forma e vetme që mbetet është ikja nga seanca, ose bllokimi i funksionimit të Kuvendit. Në këtë situatë nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme”, ka shtuar Selmanaj.

Ndërkohë, në lidhje me temen e bisedimeve me Serbinë, analisti i KDI-së, Halil Matoshi thotë se për të hyrë në këtë proçes politik Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një rezolutë të re nga ajo që ishte nxjerrë më 10 mars të vitit të kaluar për bisedimet teknike.

“Aktualisht Kosova po shkon drejt bisedimeve politike. KDI vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re, e cila i jep legjitimitet të plotë qeverisë për negociata dhe e detyron atë që t’i bëjë publike të gjitha konkluzionet për marrëveshjet e arritura deri më sot me Republikën e Serbisë, si dhe të sjellë para Kuvendit strategjinë se çfarë do të bisedohet e çfarë jo me Serbinë”, ka thënë Matoshi.

Gjatë nje konference për shtyp mbi monitorimin e punës së Kuvendit për muajin shtator, analisti Matoshi ka ngritur edhe një çështje tjetër, atë të privilegjeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Top Channel