
Skandalet në futbollin italian, kryesisht mbi bastvëniet e paligjshme, nuk kanë të sosur.
Kreu i policisë italiane, Antonio Manganelli refuzoi të përmendë emra, por deklaroi se policia ka në dorë një dosje të re, edhe më të bujshme se sa skandali që përfshiu disa lojtarë të Serisë A dhe B, bashkë me Antonio Conte-n, në kohën kur ky i fundit drejtonte Sienën.
“Hetimet mbi bastëvëniet e paligjëshme nxorrën në dritë disa sjellje dhe veprime anti-ligjore që çuan policinë në gjurmët e një sistemi të tërë të jashtëligjshëm në futboll. Kjo nuk ka mbaruar këtu. Të tjera prova do të dalin që mund të çojnë në një skandal akoma më të madh se ai i bastvënieve”, tha Manganelli.
Lidhur me skandalin e basteve dhe zhvillimet e fundit që vijnë nga prokuroria e Barit ka komentuar edhe mbrojtësi Chiellini, i grumbulluar së bashku me të tjerët në kombëtaren italiane në përgatitjet për ndeshjen kundër Armenisë.
Mbrojtësi bardhezi komentoi zërat për përfshirjen e Ranocchia-s në skandalin e fundit duke deklaruar se duhet pritur vendimi i drejtësisë sportive, e më pas të flitet për këtë.
Ranocchia dyshohet për pjesëmarrjen (ashtu si gjithë skuadra e Barit) në trukimin e ndeshjes Salernitana-Bari (3-2) dhe Bari-Treviso (0-1), e para e luajtur në maj të 2009-ës ndërsa e dyta në maj të 2008-ës. Praktikisht Bari dyshohet se ka trukuar pjesën më të madhe të takimeve në këto dy sezone.
Top Channel