
Pak orë para publikimit zyrtar të raport-progresit, sipas zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian Shqipëria nuk ka plotësuar mjaftueshëm listën e « masës kritike të rezultateve » që u caktua në muajin mars vetëm për statusin kandidat.
Kjo listë e hartuar nga Komisioni, e cila në vend njihet si « Plani i Përbashkët i Veprimit » qeveri-opozitë, përfshin vetëm disa pjesë kriteresh të mbledhura aty këtu në 12 prioritetet e famshme, për t’i mundësuar Komisionit të rekomandonte vetëm statusin kandidat dhe jo më çeljen e negociatave.
Por për shkak të mosplotësimit në kohë as të këtyre kushteve minimale, sipas zyrtarëve të lartë të Komisionit, propozimi i 10 tetorit ndaj vendeve anëtare do të kushtëzohet me përfundimin e tyre.
Formulimi i zbuluar nga Top Channel nuk është ende ai përfundimtari, i cili do të bëhet i njohur publikisht dhe zyrtarisht nga Komisioneri për Zgjerim, ditën e mërkurë.
« Komisioni i rekomandon Këshillit dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, që varet nga plotësimi i masave kyçe në fushat e gjyqësorit, reformës së administratës publike dhe ndryshimit të Rregullores së Parlamentit. »
Ky lloj formulimi përbën një rekomandim të kushtëzuar për statusin. Pas raport-progresit, Komisioni do t’i raportojë vendeve anëtare për plotësimin apo jo të këtyre masave, sipas këtyre zyrtarëve, me shpresën se vendet anëtare do të reagojnë pozitivisht në muajin dhjetor ndaj këtij propozimi.
Përveç formulimit për statusin kandidat, pjesa e mbetur e 12 prioriteteve, përfshirë prioritetin pesë, mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në rekomandimin e Komisionit pritet të përfshihen si kushte për çeljen e negociatave për anëtarësim.
Fyle : Rëndësia e progres-raportit
Para publikimit zyrtar të strategjisë vjetore të zgjerimit dhe raport-progreseve individuale, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle ka dhënë një mesazh të përgjithshëm për rëndësinë që përmban vlerësimi i vjeshtës i këtij viti.
«Raport-progresi i këtij viti është i rëndësishëm për tre gjëra. Së pari sepse bëhet fjalë për aspiratat legjitime të të gjithë europianëve për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje europiane. Bëhet fjalë gjithashtu për zgjerimin e zonave të stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit. Së dyti, ky raport-progres do të konfirmojë edhe vrullin e zgjerimit, me Kroacinë e cila anëtarësohet shpejt, Serbinë që ka marrë statusin kandidat, dhe Malin i Zi që ka nisur negociatat. Raporti do të jetë gjithashtu për kredibilitetin dhe fuqinë transformuese të BEsë. Dhe pika e tretë dhe shumë e fortë në raport-progresin e këtij viti është fuqia e Bashkimit Europian, për të thelluar integrimin e brendshëm paralelisht me zgjerimin e jashtëm, gjë për të cilën nuk ekzistojnë kontradikta ».
Pergatiti ARTA TOZAJ
“ANSA” konfirmon statusin e kushtëzuar
Burimet e Top-Channel për dhënien e një statusi të kushtëzuar kandidat nga Brukseli ditën e mërkurë konfirmohen edhe nga Agjensia Italiane e Lajmeve, “ANSA”, e cila informoi se: “BE është pranë pranimit të Shqipërisë si një vend kandidat, ndonëse ky status do të kushtëzohet mbi bazën e reformave politike që do të ndërmerren në vend”.
Sipas “ANSA”-s, asgjë e re nuk pritet rreth Serbisë, e cila prej një viti ka statusin e vendit kandidat dhe pret të avancojë në bisedimet për integrimit. Edhe një herë më shumë, Beogradit I është bërë e qartë se procesi është i lidhur ngushtë me avancimin në bisedimet me Kosovën.
Top Channel