Ambasada amerikane në Tiranë, në raportimet e saj për Departamentin amerikan të Shtetit i referohet uljes në detyrë të Gjeneral Brigade Vladimir Qiriazi, nga ish-Presidenti i Republikës, Bami Topi, gjë që ndodhi 2 shtatorin e 2009-ës, pasojë e kundërshtimit të tij për shitjen e Klubit Partizani.
Në kabllogramin e 8 shtatorit të vitit 2009, pra 6 ditë më vonë, të publikuar nga Uikileaks, shpjegohet se prona që ndodhet në qendër të Tiranës është nën pronësi të ushtrisë.
Dokumenti diplomatik i klasifikuar si sekret, asokohe i referohet burimeve nga Ministria e Mbrojtjes apo Shefi i Shtabit të Ushtrisë të cilët pretendonin se dikush i afërt me kryeministrin, presidentin apo Ministrin po përpiqej ta blente këtë pronë. Qiriazi kishte kundërshtuar të firmoste dokumentet që do t’ia kalonin pronën, privatëve.
Në fund të cdo kabllogrami, raportuesi kësaj rradhe ish/zv ambasadorja Deborah Xhons bën komentin përkates për cështjen. Aty thuhet: “Si kreu i Komandës së Logjistikës, mbështetja e Qiriazit për demilitarizimin do të mungojë. Megjithatë më shqetësuese është mungesa e transparencës në këto emërime, natyra e tyre ndëshkimore dhe lidhjet me korrupsionin. Për fat të keq, vazhdon të jetë një praktikë e zakonshme, kudo në qeverinë shqiptare për vendimet mbi emërimet në cdo nivel, të cilat janë të njëanshme nga maja, pa konsultime, një praktikë që ndalon zhvillimin e një kuadri profesional të nëpunësve civilë apo oficerëve ushtarakë.
Dokumenti
Kabllogrami përforcohet tashmë nga dokumentet që janë bërë publike së fundmi. Gjeneral brigade, V. Qiriazi i drejtonte në atë kohë Presidentit të atëhershëm dhe Komandatit të Forcave të Armatosura, Bamir Topi, një letër ku i paraqiste kundërshtimin për ta firmosur kontratën e shitjes së klubit Partizani.
Qiriazi shkruante se janë 59 persona të interesuar për të, por asnjëri prej tyre nuk kishte paraqitur dokumentacion origjinal apo të noterizuar në Komandën mbështetëse. Ai shpjegon se prona përdorej nga një subjekt privat që ushtron aktivitetin që nga viti 2000 si Sha Futboll Klub Partizani.
“Ne nuk dimë, shkruan ai, se kush ua ka dhënë këtë pronë në përdorim”.
“Prona nuk i është dorezuar asnjëherë dhe për asnjë rrethanë Komandës Mbështetëse nga Ministria e Mbrojtjes apo Shtabi i përgjithshëm”.
Ai referohet edhe “ndryshimit në sipërfaqen origjinale dhe asaj që kërkohej të shitej”. Apo faktit se për vlerësimin e saj nuk ka patur asnjë përfaqësues të Kryeministrisë.
Për cka përmend, Qiriazi shpjegon se është i shqetësuar për mënyrën se si këmbëngulet për ta firmosur kontratën e shitjes. Ai e quan tërësisht të paligjshme duke argumentuar se kjo nuk është në misionin e Komandës Mbështetëse apo strukturave të tjera të forcave të armatosura.
Top Channel