
Deputeti Taulant Balla akuzoi sërish Ministrin e Mbrojtjes Imami për kompleksin sportiv Partizani. Sipas zotit Balla nga 81 komplekse sportive në të gjithë Shqipërinë i vetmi i privatizuar dhe me destinacion të ndryshuar është ai Partizani.
Kjo sipas tij për një arsye të caktuar, kur ka edhe dhjetra e dhjetra pronarë të tjerë që pretendojnë pronësinë në plot 213 prona ushtarake.
“Të dashur qytetarë shqiptarë kompleksin sportiv Partizani, 33000 metër katrorë, në qendër të Tiranës e ka privatizuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, bashkëshorti i Argita Berishësh, kunati i Shkëlzen Berishës”, deklaroi Balla.
Deputeti socialist tregoi dokumenta sipas të cilave prona në fjalë është shtetëzuar në vitin 1940 dhe pronarët janë dëmshpërblyer në para. Ai foli gjithashtu për kundërshtitë e Shtabit të Ushtrisë të shprehura deri tek ish-presidenti i asaj kohe Bamir Topi.
“Por kjo kontratë nuk mori pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Komandës Mbështetëse, deri ditën që Ministër i Mbrojtjes u bë Arben Imami dhe Komandant i Brigadës Mbështetëse u bë Gjeneral Xhemal Gjunkshi. Kam këtu letrën komunikimin ndërmjet komandës mbështetëse dhe Presidentit të Republikës vjet më parë, të cilët e informojnë për parregullsitë në tjetërsimin e kësaj prone. Kam këtu edhe dokumentacion e arkivës së shtetit, sipas të cilit kjo pronë është pronë e shtetit, e shtetëzuar 72 vjet më parë, të dëmshpërblyer pronarët me franga ari nga qeveria e asaj kohe. I kërkoj Arben Imamit të dalë vetë dhe të sqarojë shqiptarët, pse ia dha kompleksin sportiv Partizani dhëndrit të Kryeministrit. I kërkoj Sali Berishës të sqarojë konfliktin e interesit, për ligjet që ka propozuar dhe urdhrat për dhënien e kësaj prone dhëndrit të vet”, shtoi deputeti socialist.
Mbrojtja: Klubin e shiti Financa
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për akuzat e socialistit Taulant Balla duke ia kaluar përgjegjësitë Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Financave për privatizimin e klubit Partizani, pavarësisht se klubi edhe përmes letërkëmbimit të publikuar rezulton pronë e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Përgatitja e dosjeve me dokumentacionin e nevojshëm për cdo pronë, bëhet nga Komisioni i Kthimit të Pronës që ngrihet me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Këto komisione rast pas rasti bëjnë vlerësimin e pronës dhe pas konfirmimeve nga organet përkatëse, si AKKP, ZRKP si dhe prefekturat e qarkut dërgojmë dosjet e këtyre pronave pranë Ministrisë së Financave për të vazhduar më tej me shitjen e pronës publike. Për sa më lart, sqarojmë se, as ministri Imami dhe as Ministria e Mbrojtjes nuk u japin prona ish-pronarëve, për më tepër Ministria e Mbrojtes nuk është administratore komplekseve të tjera sportive të cilat zoti Balla përmendi në mënyrë të pakuptimtë në deklaratën e ditës së sotme”, deklaroi zëdhënësi i MM, Edvin Kulluri.
Ndërkohë akuzave të deputetit Balla i janë përgjigjur edhe përfaqësuesit e pronarëve të kësaj prone, sipas të cilëve përballja e tyre me socialistin do të jetë në gjykatë përsa kohë, sic theksohet në deklaratë, gjithcka është kryer në përputhje me ligjet dhe s’ka asnjë lidhje me ngjyrimet apo mbështetjet partiake.
Lidhur me Jamarbër Malltezin, ata shprehen se janë të lirë të zgjedhin këdo që ata e gjykojnë si përfaqësues ligjor.
Ndërkohë që deputeti socialist Erjon Braçe në një tjetër deklaratë thotë se klubi Partizani është vetëm maja e ajsbergut dhe se Imami nuk është ministër, por vetëm përfaqësues i bizneseve të familjes Berisha dhe se do të dokumentojnë shitjen e plot 17 milionë metrave/katrorë.
Top Channel