
Ministria e Financave ka reaguar të martën në lidhje me kërkesat e ish
të përndjekurve politikë për dëmshpërblimin e viteve të burgut, për të
cilën një pjesë e tyre ndodhen në grevë urie prej 18 ditësh, ndërsa
grevisti Gjergj Ndreca i vuri flakën vetes në shenjë proteste ekstreme.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, në një konferencë për media ka theksuar se të gjithë ish të përndjekurit, të cilët ndodhen në grevë urie e kanë marrë këstin e parë të dëmshpërblimit.
“Ish të përndjekurit që janë në grevë kanë marrë paratë nga janari 2009 deri më 30 shtator 2012. Janë dhënë 5.6 miliardë lekë të reja për dëmshpërblimet” theksoi zyrtari i Ministrise se Financave.
Sipas tij kësti i dytë po vijon të shpërndahet dhe Qeveria ka marrë çdo masë për lëvrimin e fondeve për dëmshpërblimin e të gjithë ish-të përndjekurve politikë. “Vlera e dëmshpërblimit nga qeveria është më e larta ndër vendet ish-komuniste”, tha zyrtari.
Ai ka shtuar se ish i përndjekuri Gjergj Ndreca që ndodhet i shtruar në spital ka marrë një këst prej 3 mijë dollarësh si dëmshpërblim, ndërsa Perikli Shqevi, i cili akuzohet se i vuri flakën shokut, ka 585 mijë lekë dëmshpërblim si dhe letra me vlerë.
Top Channel