“Është një fillim i ri për mua, jam shumë i lumtur që jam kthyer.”
Kështu është shprehur Kaka’ në konferencën e parë për shtyp që pas rikthimit në listën e të grumbulluarve të kombëtares braziliane pas dy vitesh e gjysmë mungese.
Mesfushori i Real Madrid theksoi se duhet të jetë i qetë dhe se për momentin nuk mendon për pjesëmarrjen në botërorin “Brazil 2014”.
“Ndihem mirë fizikisht. Kam dy vite që nuk dëmtohem, po stërvitem mirë dhe po filloj të luaj me skuadrën time”, deklaroi fituesi i Topit të Artë në prag të dy ndeshjeve miqësore që Brazili do të luajë ndaj Irakut (11 tetor) dhe Japonisë (16 tetor).
Kaka’ ka pranuar se nuk njeh shumicën e lojtarëve të Seleçaos: “Nuk i njoh personalisht. Neymarin nuk e kam takuar ndonjëherë. Është një situatë e ndryshme nga grumbullimet e mëparshme.”
Top Channel