Arvizu “merr në dorë” Fierin

09/10/2012 19:30

Gjatë vizitës në qytetin e Fierit, ambasadori amerikan Aleksander Arvizu ka trajtuar gjerësisht çështjen e konfliktit të drejtimit të Këshillit të Qarkut.

Ai ka zhvilluar takime me drejtues të pushtetit lokal në Fier. Pas takimit, ambasadori deklaroi se Këshilli në këtë qark është i bllokuar, ndërsa zgjedhjet po afrojnë dhe premtoi se këtë çështje do e diskutoje edhe me autoritetet në Tiranë.

Çështja e Qarkut të Fierit është kthyer në ngërçin kryesor të politikes. Opozita e ka vënë si kusht zgjidhjen e kësaj çështje edhe në Kuvend, ku nuk pranuan të votojnë disa ligje.

“Kemi vendosur të jemi sot këtu në Fier. Qartazi pyetja e madhe është gjithçka që ka tërhequr vëmendje lidhur me ngërçin politik për paaftësinë e Këshillit të Qarkut për të funksionuar si duhet. Kjo është për të ardhur keq se të përzgjedhurit nga qytetarët nuk kanë mundësi për të kryer funksionet e tyre dhe kjo do të ndikojë në mënyrën se si do të qaseni drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Ndiej që kemi marrë një informacion më të mirë dhe do të zhvillojmë më shumë diskutime në Tiranë”, deklaroi Arvizu.

Çështja e dytë e trajtuar nga ambasadori Arvizu ishte, pritshmëritë për raport-progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

“Ne gjendemi një ditë para se të dalë raport-progresi lidhur me statusin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ambasadori Sequi mund ta trajtojë në mënyrë më specifike, por ka një çështje bazë që do të doja ta theksoja. i kam lexuar të gjitha deklaratat që kanë ardhur nga Brukseli dhe diçka që kam vënë re është se ata flasin për një masë të madhe pune përsa u përket rekomandimeve specifike që janë bërë. Unë mendoj se kjo u referohet individëve të veçantë dhe çështjeve specifike në legjislacion, siç është refoma parlamentare, heqja e imunitetit dhe ligji për Gjykatën e Lartë dhe të gjitha këto janë të rëndësishme”.

Duke vazhduar fjalën e tij, ambasadori amerikan shtoi: “ Ajo që nënkuptohet me një punë madhore nënkupton vullnetin politik për të ndërmarrë vendime në mënyrë që gjykatat të operojnë në mënyrë të pavarur larg ndikimeve politike, në mënyrë që vendimet që do të merren të jenë të hapura, objektive dhe të pasqyrojnë interesat e qytetarëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA