Duke djegur flamurin e BE-së, qindra pensionistë grekë që kanë marshuar tek zyrat e Unionit në Athinë, kanë protestuar për reduktimet e njëpasnjëshme të pensioneve të tyre.

“Po na marrin jetën. Përpiqen të na çojnë në skëterrë. Nuk na e kanë më nevojën sepse kapitalistët kanë nevojë vetëm për krahë të lirë pune”, ka thënë një pensionist.

Reagimi i forcave speciale të policisë ka qenë i menjëhershëm, por protestat e sindikatave greke do të kulmojnë të martën me mbërritjen e kancelares gjermane Angela Merkel në Athinë. Puna do të ndërpritet për tre ore në të gjithë kryeqytetin.

Merkel do të jetë në shtetin helen për një vizitë 6-orëshe, gjatë së cilës do të takojë presidentin Papulias dhe kryeministrin Samaras.

Zonja Merkel mbërrin në kryeqytetin grek pesë vjet pas vizitës së saj të fundit, nën masat më të rrepta të marra ndonjëherë, me të paktën 7000 policë në gjendje gadishmërie.

Qendra e Athinës, ku gjatë ditës së martë janë ndaluar me ligj për 13 orë të gjitha protestat, do të kthehet në një kështjellë ku nuk do të lejohet hyrja e demonstruesve, po ashtu edhe Parlamenti, ndërtesat qeveritare dhe ambasada gjermane.

Sipas mediave vendase, kancelarja gjermane kërkon të mbështesë përpjekjet e qeverisë Samaras për zbatimin e reformave dhe mbylljen e paketes së masave shtrënguese me vlerë 12 miliardë euro që përmban shkurtime rrogash dhe pensionesh.

Sipas shtypit gjerman, vizita e Merkel është më e vështira gjatë udhëheqjes së saj, sepse duhet t’u tregojë grekëve se ajo është në anën e tyre, kur ata besojnë se ajo është shkaku i reçesionit dhe i problemeve ekonomike.

”Merkel u vonua tre vjet të vizitojë Greqinë, që për pak me rrezikshmërinë e zhvillimeve, mund të hidhte në erë gjithë eurozonen”, komenton versioni gjerman i “Financial Times”.

Athina zyrtare pret mbështetjen e Berlinit për të dhënë mesazhin se Greqia do të qëndrojë në eurozonë, por edhe për të marrë premtimin e lëvrimit të këstit të ndihmës prej 31.5 miliardë euro prej kreditorëve.

Por, siç shkruan e përditshmja “Der Spiegel”, kancelarja nuk shkon në Greqi për të çuar dhurata, por për t’u kërkuar grekëve të zbatojnë reformat, sepse kjo është rruga e vetme e shpëtimit.

Top Channel