Venezuelë, Chavez fiton sërish

08/10/2012 08:00

Hugo Chavez ka fituar mandatin e katërt si president i Venezuelës pasi mori 54% të votave në zgjedhjet presidenciale të zhvilluara ditën e dielë, ku votoi 81% e popullsisë.

Sipas BBC, shumë mbështetës të Chavez pushtuan rrugët e kryeqytetit Karakas pas zyrtarizimit të rezultatit. Kandidati tjetër Enrique Capriles mori 44.97% të votave.

“Revolucioni ka triumfuar. Venezuela do të vazhdojë marshimin e saj drejt socializmit demokratik të shekullit 21. Rroftë Venezuela! Rroftë Atdheu! Kjo ishte një fitore perfekte në një betejë perfekte”, deklaroi presidenti para turmës që ishte mbledhur para pallatit presidencial Miraflores.

“Premtoj që do të jem një president më i mirë se ç’kam qenë”, shtoi Chavez.

Capriles nga ana e tij e pranoi humbjen duke përgëzuar fituesin e zgjedhjeve, por duke theksuar se opozita nuk duhet të ndihet e mposhtur.

“Dua të përgëzoj kandidatin, presidentin e republikës. Kemi mbjellë farat në të gjithë Venezuelën dhe e di që nga këto fara do të kemi pemë në të ardhmen”, deklaroi Capriles.

Hugo Chavez është në pushtet që nga viti 1999 dhe është shprehur se i duhet edhe një mandat 6-vjeçar për të vazhduar “revolucionin bolivian” drejt socializmit.

 

Top Channel