
Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz deklaron se zgjedhjet e
vitit 2013 janë me një rëndësi shumë të madhe për statusin e vendit
kandidat të Shqipërisë. Ai thote se statusi varet nga stabiliteti i
brendshëm politik.
Shulz veren se situata politike ne Tirane eshte permiresuar, por sipas tij tensionet nuk jane zhdukur ende.
Top Channel: Z. Schulz, cili është qëndrimi i Gjermanisë dhe i Parlamentit Europian për Shqipërinë, e cila shpreson marrjen e rekomandimit për statusin kandidat?
Martin Schulz: Ne po presim analizën e Shtefan Fyles, Komisionerit për Zgjerim dhe të raportuesve tanë në Parlamentin Europian. Ndjesia ime është se gjatë muajve të fundit, vendi është bërë pak më i qëndrueshëm. Ka një lloj përpjekje nga të dy palët, qeveria dhe opozita, për të dialoguar me njëri tjetrin, pasi ky është një parakusht për çdo lloj përmirësimi në vend. Dhe vërejmë që atje ka një situatë më të përmirësuar dhe që tensionet, nuk janë zhdukur ende, por ne shpresojmë të jenë reduktuar. Statusi kandidat varet në fund nga stabiliteti i brendshëm në vend. Si President i Parlamentit Europian, unë nuk do t’i paraprij rezultatit. Unë nuk kam të drejtë të ndërhyj publikisht, por kam njëfarë shprese se kësaj radhe situata është më e mirë se në vitet e kaluara e që kjo me siguri do të influencojë raportin e progresit.
Top Channel: A do të jenë kusht zgjedhjet e ardhshme?
Martin Schulz: Mendoj se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe respektimi i rregullave e standareve ndërkombëtare janë gjithmonë instrumenti më i mirë për të treguar se vendi është në rrugën e duhur demokratike. Ndaj është mëse e qartë, se jo rezultati zgjedhor, por mënyra sesi do të organizohen zgjedhjet është një çështje gjigande e rëndësisë më të lartë.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel